LAJMI I FUNDIT:

Breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë – reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës

Breshëri plumbash, granatë dore, iriqë metalikë e gjuajtje me gurë – reagimet e vendorëve dhe ndërkombëtarëve pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës

Të premten në një konferencë të jashtëzakonshme të ministrit ë Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti u bë e ditur se brenda tri ditëve Policia e Kosovës është sulmuar katër herë.

Në këtë konferencë u tha se sulmi i katërt ndaj Policisë kishte ndodhur të premten në orën 07:40, gjatë kohës sa Policia e Kosovës ishte duke shkuar për ta realizuar ndërrimin në pikat kufitare.


Ministri Sveçla njoftoi se ky sulm ka ndodhur me granatë dore dhe AK 47, si akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policor por dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Tashmë po shihet se angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës dhe posaçërisht i Policisë që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë dhe grupe të caktuara që mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia”, ka thënë Sveçla, duke shtuar se këto sulme as nuk do t’i ndalin e as nuk do të frikësojnë.

Sulm ndaj Policisë në veri, Sveçla e quan akt terrorist
Lexo po ashtu Sulm ndaj Policisë në veri, Sveçla e quan akt terrorist

Ndërkaq, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti tha se prej datës 13 prill deri të premten kanë ndodhur katër sulme të sinkronizuara ndaj Policisë së Kosovës, në territore që janë afër me njëra tjetrën.

“Kjo na bën me dije se kemi të bëjmë me grup të organizuar”, tha Mehmeti, duke shtuar se dikujt po i pengon puna e Policisë së Kosovës dhe lufta kundër kontrabandës.

Drejtori i Policisë së Kosovës dha edhe detaje të sulmeve që kanë ndodhur.

Sulmi i parë ka ndodhur më 13.04.2022 rreth orës 07 e 30 në magjistralen Mitrovicë – Zubin Potok, ku patrulla e Policisë ka hasur në rrugë në iriqë metalikë që përdoren për dëmtimin e gomave të automjeteve. Aty ishin vendosur rreth 46 iriqë mes të rrugës dhe që mundësonin bllokimin e rrugës.

Sulmi i dytë ka ndodhur ka ndodhur të njëjtën ditë, rreth orës 21:45, ku Njësia e policisë kufitare duke u kthyer nga përfundimi i ndërrimit në afërsi të vendkalimit kufitar është sulmuar me gur.

Mehmeti bëri të ditur se përveç dëmeve materiale nuk ka pasur të lënduar, raporton Telegrafi.

Sulmi i tretë ka ndodhur të enjten mbrëma në fshatin Bube rreth orës 20:40 ku janë dëgjuar katër-pesë breshëri, diku rreth 30 fishekë. Ai tha se dyshohet që të shtënat kanë ardhur nga territori i Republikës së Serbisë, ndërkaq përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.

Drejtori i Policisë njoftoi se gjuajta ka ndodhur diku në distancë 200-300 metra afër patrullës që ka qenë e vendosur në fshatin Bube. Ai tha se kjo rrugë ilegale ishte mbyllur para një kohe e që është përdorur për kontrabandë dhe aktivitete kriminale.

Ndërkaq, sulmi i katërt ka ndodhur të premten rreth orës 07:40.

Ai tha se janë sulmuar drejtpërdrejtë patrullat e policisë kufitare. Sulmi është kryer me grantë dore dhe AK 47. Të dy veturat e blinduara të policisë janë dëmtuar, por fatmirësisht nuk ka të lënduar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka bërë të ditur se në veturat që u sulmuan ka pasur zyrtarë policorë shqiptarë, por edhe serbë.

Në një konferencë për media të mbajtur bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ai tha se sulmi dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë.

“Dyshohet se sulmi ka ardhur nga 200-300 metra dhe dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë. Të gjitha patrollat tona policore janë të përbëra nga komunitete të ndryshme ndaj edhe në veturat që janë sulmuar ka pasur policë shqiptarë, por edhe serbë”, deklaroi Mehmeti.

Ai shtoi se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen të qetë dhe të sigurt, pasi “në të gjitha pjesët e territorit të Republikës së Kosovës janë zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë pajisje të nevojshme për ta garantuar rendin dhe ligjin”.

E pas sulmeve ndaj Policisë ka pasur reagime të shumta të zyrtarëve vendor si dhe ndërkombëtarë.

Burime të Telegrafit, bëjnë të ditur se pas zhvillimeve të fundit në vend si rezultat i veprimeve destabilizuese të Serbisë, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar një takim me strukturat e sigurisë së vendit.

Ndërkaq, Blerim Vela, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një reagimi në Twitter ka thënë se këto veprime ndaj Policisë së Kosovë kanë për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë dhe asaj politike në vend.

Për sulmin në veri ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryetarë të partive politike.

“Për tri ditë resht, zyrtarë policorë të Kosovës janë sulmuar në pikën kufitare me Serbinë. Dje dhe sot herët, një breshëri plumbash dhe një granatë dore u hodhën drejt policisë sonë. Burimet tona e kanë identifikuar sulmin e djeshëm të ardhur nga Serbia”, shkruan Kurti.


Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi sulmin ndaj Policisë e ka quajtur akt kriminal dhe të patolerueshëm.

Krasniqi në një postim në Facebook shkruan se sulmet kanë për qëllim cenimin e rendit dhe ligjit.

Pas sulmeve ndaj policisë në veri, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbështetur organet e sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese.

“LDK ofron gjithë mbështetjen e nevojshme për Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë në ushtrimin e detyrave kushtetuese dhe garantimin e sigurisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë të shkurtër të lëshuar nga LDK.

E për liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sulmet ndaj Policisë duhet të jenë alarm për të gjithë.

Haradinaj në një postim në Twitter shkruan se krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike e etnike dhe se ai i rrezikon të gjithë.

Përveç zyrtarëve vendorë, sulmin ndaj Policisë e ka dënuar edhe Ambasada amerikane, Bashkimi Evropian, OSBE-ja.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier, është shprehur thellësisht i shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe gurë të hedhur ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit afër Zubin Potokut.

Ambasadori amerikan përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se këto sulme ndodhën kur autoritetet sovrane e përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme. Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës. Ne bëjmë thirrje shmangen spekulimet që do të rrisin tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë thelbësore”, ka shkruar Hovenier, transmeton Telegrafi.

Ndërkaq, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut.

Përmes një reagimi në Twitter, nga kjo zyrë kanë thënë se Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm.

“U bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të kryhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagimin e tyre.

Për sulmin ndaj Policisë së Kosovës, ka reaguar edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport.

“Misioni i OSBE-së në Kosovë është shumë i shqetësuar me sulmet e fundit ndaj Policisë së Kosovës. Aktet e tilla të neveritshme, të drejtuara kundër jetës së policëve, detyra e të cilëve është të mbrojnë të gjithë njerëzit në Kosovë, janë krejtësisht të papranueshme. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të fokusojnë përpjekjet në identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, thuhet në postimin e OSBE-së.


Lidhur me sulmin, ka reaguar edhe vet Sindikata e Policisë së Kosovës, duke thënë se është momenti i fundit që institucionet e Kosovës të kthejnë vëmendjen kah Policia e Kosovës në përmirësimin e mirëqenies së pjesëtarëve të saj.

Sindikata e Policisë së Kosovës ka falënderuar Policinë e Kosovës për guximin e treguar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e tyre në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së shtetit. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Lajme
Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Lajme
Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Zbulohet shifra që u pagua Alma Kaçi për të kryer marrëdhënie seksuale me Safet Gjicin: Ia morën videon me forcë

Lajme
Kalo në kategori