LAJMI I FUNDIT:

Kush po e kërkon kthimin e statujave të Parthenonit, nga Londra në Athinë?

Kush po e kërkon kthimin e statujave të Parthenonit, nga Londra në Athinë?

Lord Elgin (1766-1841) ka qenë ambasador britanik në Stamboll, në të cilin vend ka shërbyer nga viti 1799 deri më 1803. Elgin ka qenë dashamirë i madh i artit dhe këtë temë e bisedonte shpesh me sulltan Selimin III. Otomanët nuk e kishin shkatërruar artin klasik grek, por as nuk tregonin kujdes në mirëmbajtjen e tij.

Në vitin 1687, venedikasit e sulmuan Athinën. Parthenonin e gjuajtën me topa dhe pasi që aty otomanët e kishin magazinën e barotit, vendi eksplodoi dhe gjysma e skulpturave u shkatërruan kurse ndërtimi fenomenal i Pathenonit u dëmtua seriozisht. Ekzistonte mundësia që nga një sulm i ngjashëm të dëmtohej edhe më shumë Parthenoni. Dëmtimin mund ta shkaktonte edhe koha. Ky ishte një rrezik që u vërtetua se është i vërtetë, sepse kur u pavarësua Greqia, grekët nuk treguan ndjenja e as dashuri për trashëgiminë e artit klasik dhe shumë artefakte ata ua shitën turistëve ‘për një cigare duhan’, siç thotë populli.


Sidoqoftë, një ditë Lord Elgini i kërkoi sulltanit leje qe t’i merrte statujat e Parthenonit që kishin mbetur dhe t’i dërgonte në Londër me arsyetim se atje do të ruheshin më mirë. Sulltanit i pëlqeu ideja dhe duke dashur t’i ruante marrëdhëniet e mira me britanikët, e miratoi kërkesën e lordit dhe lëshoi një ‘Irade’ të veçantë për këtë veprim. Dhe, kështu, Lord Elgini i solli në Londër qindra statuja, qindra metra murale të gdhendura dhe artefakte tjera, të cilat u vendosën në Muzeun Britanik i cili është i pari në botë dhe më i pasuri. Parlamenti britanik e shqyrtoi këtë gjë dhe nxori ligj pasi që gjithçka ishte bërë në mënyrë ligjore. Që nga ajo kohë e deri sot konsiderohet se në Londër kanë ardhur qindra miliona turistë për t’i vizituar këto artefakte mbresëlënëse të kulturës së lashtë greke.

Por, pas themelimit të shtetit grek, sidomos 50 vjetëve të fundit, Qeveria greke ka kërkuar disa herë kthimin e statujave dhe artefakteve tjera. Muzeu Britanik dhe qeveria britanike e kanë refuzuar këtë kërkesë duke konkluduar se nuk ka asnjë arsye që ky art t’i kthehet Greqisë.

Melina Merkuri (1920-1994), aktorja dhe këngëtarja e famshme greke, e cila ka qenë edhe ministre e Kulturës në Greqi, ka qenë më e zëshmja. Kërkesat e saja për kthim të statujave kanë qenë edhe akuza kundër Britanisë (duhet theksuar se dihet që Melina Merkuri ka prejardhje shqiptare). Në qeverinë e tashme greke, të njëjtën kërkesë me të njëjtin ton është duke e bërë ministrja e Kulturës, e cila quhet Lina Mendoni. Emri i kësaj ministreje, sidomos mbiemri, sugjeron se kjo është e të njëjtin ‘fis’ me Melina Merkurin. Megjithatë, përgjegja e britanikëve është: Jo!

Në vitin 2017 grekët kanë bërë edhe një film për këtë temë me qëllim që të sensibilizohet opinioni botëror dhe të ndikohet te britanikët. Filmi quhet ‘The First Line’. Në të luajnë së paku dy aktorë mjaft të njohur, por filmi është ndërtuar mbi ngjarje të imagjinuar. Tentohet që të tregohet një jokonsekuencë dhe parregullsi ligjore mes ‘Irades’ (vendimit të sulltanit) dhe ‘Mukhtabit’ (vendimit të vezirit të madh – kryeministrit otoman) për këtë çështje. Por, filmi në të gjitha aspektet është nën çdo nivel artistik dhe mbetet si tendencë e një propagande primitive dhe amatore. Në fakt, ata që e shohin këtë film mund të krijojnë mendim të kundërt me atë që mëton filmi. Pra, është një propagandë që grekëve iu kthehet bumerang. Filmi është aq i dobët sa që për te nuk ka as kritika (review) dhe është çudi se si ka hyrë në ‘Netflix’. Unë për vete, film të keq si ky i grekëve, e kam parë vetëm një të Arabisë Saudite që nuk më kujtohet as titulli i tij. Ndoshta grekët duhet t’i angazhojnë turqit për të bërë filma.

Nuk ka asnjë bazë ligjore e asnjë arsye për kthimin e këtyre statujave në Greqi. Statujat duhet të mbesin aty ku janë, ku ruhen dhe ku vizitohen – në Londër.