LAJMI I FUNDIT:

Kur Nehat Islami ishte 18 vjeç: Studioja drejtësinë, ëndërroja të bëhem gazetar

Kur Nehat Islami ishte 18 vjeç: Studioja drejtësinë, ëndërroja të bëhem gazetar
Nehat Islami më 1972, gjatë realizimit të dokumentarit “Shqiptarët e Rumanisë”

“Dashuria atëbotë ishte dashuri platonike, sepse kanë qenë kohët e tilla; ka qenë e pamundshme të dilet me vajza, si sot. Ajo ishte dashuri në klasë, me shikime, me ndonjë fjalë të ëmbël … Unë, për vete, letra dashurie nuk kam shkruar kurrë. Gjithë atë që kam dashur ta them, e kam thënë gojarisht, pa më ardhur fare turp …”, flet kështu për kohën kur i kishte 18 vjet gazetari i mirënjohur Nehat Islami (lindi më 1943) …

– Shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri” (shtojcën “Jeta”), në vitin 2000, në kuadër të rubrikës “Kur isha 18 vjeç” –


Përgatiti: Luljeta Tahiraj

“Kur isha 18-vjeçar, jam regjistruar në fakultetin juridik, në Zagreb. Për herë të parë kam dalë nga shtëpia, për një kohë më të gjatë, kam shkuar në një botë krejt të panjohur, me shumë ëndrra, me shumë dëshira se do të mësojë. Unë, në të vërtetë, kam pasur qejf të regjistroj letërsinë botërore dhe kur shkova në Zagreb, u paraqita në fakultet, u regjistrova, por pasi që isha bursist i ‘Rilindjes’, këta më thanë se kemi nevojë për jurist e jo për profesor të letërsisë, atëherë shkova në fakultetin ekonomik. Mirëpo, qysh në orën e parë, kur erdhi profesori, pashë se kishm matematikë të cilën unë s’e doja fare dhe posa më ra ndërmend se në atë fakultet kishte matematikë, ika menjëherë dhe u regjistrova në drejtësi. Domethënë, në kohën tonë nuk ka qenë shumë vështirë të regjistrohesh në fakultet, ngase nuk kishte provime pranuese siç ka sot.

Dashuria ishte platonike

Ëndërr imja në atë kohë ishte të studioj drejtësinë, por jo të merrem me gjyqësi, por të jem gazetar. Më kanë interesuar lëndët e drejtësisë, por nuk më ka interesuar gjyqësia. Më interesonte e drejta ndërkombëtare dhe ëndërr imja ka qenë që të bëhem gazetar dhe të shkruaj për problemet e Kosovës, të cilat edhe do t`i zgjedhi, si ato ëndrrat e djemve të rinj. Mirëpo, sa më tepër që kam filluar ta njoh drejtësinë dhe ta njoh jetën, aq më tepër jam bindur se jeta është aq e komplikuar, posaçërisht në atë kohë që ka qenë një sistem rigjid. Fati im ka qenë që në moshën 18-vjeçare, nga një sistem shumë rigjid, d.m.th. në vitet ’60-’61, diku pas një udhëtimi tetë orësh me tren, kam kaluar në një botë e cila dallohej nga Kosova për dy shekuj. Kroacia dhe Zagrebi dallonin nga Prishtina për dy shekuj, por jo vetëm nga Prishtina, por edhe nga Beogradi. Mund të them se të gjithë profesorët e mi të Fakultetit të Drejtësisë në Zagreb kanë qenë edhe profesorë në vende tjera evropiane. Në këtë mënyrë, ata mundoheshin në mënyrë shumë implicide të na tregonin se drejtësia dhe sistemi komunist nuk ka kurrfarë vlere dhe përpiqeshin të na ngulitnin në kokë standardet e udhëheqësisë evropiane.

Në atë moshë isha edhe i dashuruar, bile s’ka nevojë as të pyesësh nëse ke qenë i dashuruar ose jo, se të gjithë të rinjtë në atë moshë janë të dashuruar. Por, ajo atëbotë ishte dashuri platonike, sepse kanë qenë kohët e tilla, ka qenë e pamundshme të dilet me vajza, si sot. Ajo ishte dashuri në klasë, me shikime, me ndonjë fjalë të ëmbël … Unë, për vete, letra dashurie nuk kam shkruar kurrë. Gjithë atë që kam dashur ta them, e kam thënë gojarisht, pa më ardhur fare turp.

Ato dashuri më tepër shpreheshin në forma jo të drejtpërdrejta, për shembull kur shkonim në Gërmi, duke luajtur me top, kinse gabimisht ia prekje dorën e ajo bëhej se nuk i vinte mirë, shante … e në realitet ato ishin dashuri të ndaluara, të parealizuara. Tërë gjimnazin e kam kaluar me një shoqe të klasës, sepse kishim vetëm një femër në klasë. Më kujtohet se shkolla normale ka qenë një lloj oaze e të rinjve, ku atje organizoheshin ballo, të shtunave dhe të dielave, ne prisnim deri kur kryhej darka e kur fillonte balloja, ku ishin më së 200 meshkuj e afër 10-15 femra, atëherë ai që kishte rastin të vallëzojë me një femër e llogariste një mbrëmje shumë të suksesshme. Aty fitonin ata më të shkathtë. Unë nuk isha në mesin e tyre.

Kam punuar edhe si moler

Mosha 18-vjeçare është pjesa më e mirë e jetës sime. Fakulteti i Drejtësisë në atë kohë kremtonte 270-vjetorin e ekzistimit. Dhe ne, si studentë, materialisht kemi jetuar shumë mirë, ngase kishte mundësi të mëdha fitimi. Kemi qenë shumë studentë që punonim fizikisht, p.sh. unë kam qenë roje e natës në një sipërmarrje ndërtimore, ku ndërkohë ruaja dhe përgatisja provimet dhe brenda një nate unë fitoja një të katërtën e bursës. Vetëm gjatë studimeve unë kam qepur dy herë në vit rroba. Kemi pasur të holla. Tërë gjenerata kishte mundësi fitimi. Paratë na ndihmonin të blinim libra, të përcillnim letërsinë botërore, muzikën, humorin, modën, mirëpo fatkeqësia ishte se nuk kishim pasaporta, ndërsa ëndrra ime ka qenë të shkoj në Itali.

Në ato vitet’60 e mbaj në mend Adriano Çelentano, sepse italianët ishin posaçërisht në modë. Me studentë të Evropës patëm krijuar kontakte, miqësi, meqë Zagrebi ishte më i hapur me botën dhe qysh atëherë vinin studentë nga vise të ndryshme, çka në Kosovë një gjë e tillë ka qenë e pamundshme. Në atë kohë kam punuar edhe si moler, në panairin e Zagrebit, në pavijonin italian – aty për 20 ditë unë fitoja para për të blerë tërë gardërobën e dimrit. Të gjithë ne studentët e asaj kohe kemi punuar shumë. Ka qenë një kohë kur i plotësonim të gjitha nevojat tona intelektuale fal punës fizike. Unë mbaj në mend se atë kohë blija shumë libra. Dhe, tash më vjen mirë që në moshën 18-vjeçare kam startuar në Zagreb, në një jetë e cila ishte krejtësisht ndryshe nga ajo në Kosovë.

Në atë kohë më bënin të lumtur sukseset e mia në studime, saqë kur kam dhënë provimin e parë e kam ndier veten tepër të lumtur, kurrë më në jetë nuk jam gëzuar më shumë se për provimin e parë, madje as atëherë kur kam diplomuar.

Kam luajtur në filma si statist

Në atë kohë unë merresha edhe me shkrime. Pata bërë intervistë me Mirosllav Kërlezhën, bashkë me Ekrem Kryeziun, të cilën intervistë e botuam në javoren “Zëri”. Ka qenë interesant se atë kohë ishte e pamundshme të realizoje intervistë me Kërlezhën, mirëpo, ne, si të rinj, shkuam dhe i thamë: duam intervistë dhe jemi bashkëpunëtorë të “Zërit” . Edhe ai, duke qeshur me neve, na pranoi. Na pyeti, nëse i kishim shkruar pyetjet, por ne me plot guxim i thamë se pyetjet nuk i kemi shkruar, por i dimë.

Në “Rilindje” shkruaja për jetën kulturore në Kroaci. Unë isha edhe njëri ndër themeluesit e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Zagreb. Ne përpiqeshim të organizojmë njëfarë jete kulturore, t’i ndihmojmë njëri-tjetrit.

Në Kosovë vija për pushime, por qëndroja një kohë të shkurtër, sepse pjesën tjetër e kaloja në Zagreb duke punuar fizikisht në Qendrën e studentëve se kishim punë, p.sh. kam qenë transportues i mishit. Madje, kur i fitonim paratë, shkonim në det me shoqëri. Kuptohet se kur vinim në pushime në Prishtinë e ndjenim vetën shumë mirë, mirëpo, njëkohësisht, ne ndjenim dhimbje për atë trysni tepër të fortë policore që ekzistonte në Kosovë. Studentët e Prishtinës ishin në një situatë të vështirë edhe në aspektin material, edhe në aspektin e surveimit të përhershëm të policisë.

Ekzistonte edhe “Korzoja” e cila ishte ngjarja më e madhe e lidhjes në Prishtinë. Në “Korzo” dilnin njerëzit për t’u parë, për të parë secili simpatinë e vet, të fshehtë. Takoheshin me shokë dhe me javë të tëra, me muaj shikoheshin pa folur asnjë fjalë. Katastrofa më e madhe ishte kur dilje në “Korzo” e shihje se simpatia jote s’ka dalë atë natë.

Atë kohë ne si studentë ishim edhe statistë të filmave. Zagrebi në atë kohë ka qenë qendër shumë e rëndësishme e xhirimit të filmave, meqë vinin kompanitë franceze, italiane dhe çmimi i statistëve dhe i qirave ka qenë shumë më i ulët se në Francë dhe në Itali. Mbaj mend se kam luajtur në një film “Cezari dhe piratët”, ku kishte plot studentë shqiptarë. Na paguanin për një ditë sa gjysma e bursës. Kam luajtur në 7-8 filma si statist.

Jeta jonë ishte e varfër

Atëbotë, ne, studentët shqiptarë, gëzoheshim shumë kur binte borë, merreshim me pastrimin e borës dhe fitonim shumë. Më kujtohet shoku im, Ekrem Kryeziu, nuk kishte bursë dhe kur binte borë, gëzohej shumë e thoshte: “Bjer, bjer se po bien pare …”! Dhe, kur shkonim pastronim borën, ata na jepnin të holla, por edhe veshmbathje.

Unë që s`kisha parë kurrë as operë, as balet, as asgjë, së pari në Zagreb m’u dha rasti t`i shoh të gjitha këto, si 18-vjeçar.

Mosha 18-vjeçare e sotme është shumë më cilësore se mosha jonë. 18-vjeçari i sotëm di 18 herë më shumë se që kemi ditur ne atëherë. Unë si nxënës i klasës së dytë gjimnaz, kam dëgjuar se po ekzistuaka televizioni. Sot një 18-vjeçar është mbret i kompjuterit dhe i të gjitha fshehtësive të tij, e ne nuk kemi ditur se ekziston kompjuteri. Neve na e nxirrnin shpirtin me rrënjën katrore, merreshim me disa gjëra të cilat sot kryhen me sekonda. Ne nuk kishim kurrfarë literature, mbajë mend kur profesori ynë i gjuhës shqipe Ramiz Hoxha, nuk di se ku e kishte gjetur “Kënetën” e Fatmir Xhatës dhe vetëm që na e sjelli tinëz ta shohim çfarë gëzimi ka qenë. E, sot, rinia jonë ka çfarë të lexojë, jo vetëm letërsi shqipe, por edhe botërore. Jeta jonë ka qenë shumë e varfër në krahasim me tash.

Prej gazetarëve të rinj, kërkoj që patjetër të mësojnë së paku dy gjuhë botërore, të shfrytëzojnë mundësitë të dalin sa më shpesh në botë. Ne nëse duam të ecim më larg, nuk duhet të matemi me hijen tonë, por të matemi me hijen e Parisit, Londrës, Nju-Jorkut. Gazetaria është një fuqi motorike që e tërheq një shoqëri përpara. Unë shpresoj se ne do ta kemi një gazetari kreative, të dobishme dhe shpresoj se edhe gazetarët e rinj sot kanë kushte dhe përparësia e tyre është se ata sot janë të liruar nga shumë censura që kanë ekzistuar më përpara …” /Telegrafi/