LAJMI I FUNDIT:

Kur i “gjithëdijshmi” na udhëheqë

Kur i “gjithëdijshmi” na udhëheqë

Prej shumë urtive popullore të cilat shpesh i përdorte gjyshi im, ndjesë pastë, njëra prej tyre “a ma mirë më kanë i meçëm a i dijshëm” më bënte shpesh të jepja përgjigje dualiste. Herë i thosha “ma mirë i meçëm” e herë “ma mirë i dijshëm”. Kur përgjigjesha që ma mirë është me qenë i dijshëm sesa i mençur, atëherë reagimi i tij e prerë ishte: “Jo, ma mirë asht me kanë i meçëm, sepse i meçmi asht për shpi e i dijshmi asht për hallk”, “i dijshmi i ndreq krejt punt’ e hallkut e punt’ e veta n’shpi i ka llugë”.

Mençuria dhe dituria besoj që janë dy gjëra të cilat janë të ngjashme dhe kanë kuptime të njëjta, por, sipas gjyshit tim të ndjerë, dallonin shumë. Zakonisht për dikë që është i kthjelltë dhe i zhdërvjelltë nga mendja, manipulues i zoti apo “i gjinshëm”, thuhet se “ish i meçëm”. Në anën tjetër për të dijshmit thuhet se janë më pak “të gjinshëm”, më pak për vete e më shumë për “hallk”.


Të jesh i mençur apo i dijshëm sot do të thotë të jesh shpesh i veshur me epitete të ndryshme prej budallai apo “ahmaki”. Sot Kosova është e vërshuar me të madhe me njerëz “të dijshëm” të cilët nuk hezitojnë aspak të ekspozohen para publikut e mediave dhe të na tregojnë lloj-lloj “meselesh” apo trillimesh. Nuk më brengos fakti kur epitetin e të dijshmit e marrin mbi vete njerëz të thjeshtë dhe të parëndësishëm (e kam fjalën për ata që nuk mbajnë përgjegjësi publike për atë çfarë thonë apo flasin), por brengosem kur këtë rol e marrin personalitetet publike nga jeta politike dhe institucionale.

Deklarime të tilla në baza ditore, javore, mujore apo edhe vjetore dëgjojmë shumë dhe jemi edhe ne pjesë e tyre, direkt apo indirekt. Dalin para kamerave paria e shtetit dhe pa fije paturpësie na bëjnë, padrejtësisht, subjekt trillimi dhe imagjinate duke na fyer inteligjencën tonë në maksimum për gjëra të cilat ne tashmë (shumica) i dimë dhe i përjetojmë (fatkeqësisht). Nuk është aq e vështirë sot të dihet ku jemi e si jemi, ta ndajmë qysh thotë populli, “shapin prej sheqeri”, ta dimë çka është e mirë e çka e keqe.

Po përjetojmë gjëra dhe situata të llojllojshme të cilat tashmë na janë bërë pjesë e pandashme dhe e pandryshueshme e jetës, saqë jemi bërë imunë ndaj çfarëdo sëmundjeje politike apo sociale. Një garniturë e elitës politike dhe intelektuale na qesin hi syve dhe na fasadojnë mendjet dhe inteligjencën tonë me marrëzira dhe deklarime tipike absolutiste, duke u shitur si të gjithëdijshëm dhe të vetmit që kanë të drejtë apo që kanë marrë “izen” nga populli për të na udhëheqë e drejtuar.

Po tregohen të dijshëm para popullit e të mençur para faktorit ndërkombëtar. Aq shumë po i ndreqin e po i përsosin punët me fqinjët e me ndërkombëtarët, e aq keq po i katranosin punët me popullin për hir të proceseve politike, stabilitetit politik, ekonomik, social e regjional, për hir të fqinjësisë së mirë. Nuk qajnë kokën për mirëqenie dhe zhvillim, nuk gjenerojnë pozitivitet dhe optimizëm, nuk mërziten aspak kur dështimet më të mëdha i quajnë suksese dhe të arritura.

E kanë gojën përplot me integrim dhe storje suksesi saqë edhe ata që janë pjesë a atyre “sukseseve” shpesh i mbyllin sytë dhe përpihen. Shpesh e vetëkënaqin veten dhe njëri-tjetrin me deklarata të tipit “je diplomat”, e po ashtu dinë edhe “ta sjellin e ta pështjellin” e ta bëjnë rrëmujë e hallakamë. Nuk e njohin mirë ligjin dhe rregulloret, por kur kanë të bëjnë me favoret dhe përfitimet personale e “respektojnë” atë ligj me përpikëri dhe fanatizëm.

Personazhi të cilit po i referohem si “i gjithëdijshëm” tash e 15 vite na baltosë me refren të njëjtë togfjalëshi përplot me integrime euro-atlantike si dhe koordinim e bashkëpunim të plotë e të “fuqishum” me SHBA-të dhe vendet e Evropës Perëndimore. Me krejt potencialin e tij “patriotik”, ky “i gjithëdijshëm” po del të jetë më i dijshmi ndër shqiptarët ndonjëherë (përjashto këtu Enver Hoxhën?!). Ky dhe vetëm ky doli të jetë motori kryesor i ndryshimeve të mëdha ekonomike e politike (për të keq fatkeqësisht). Aq mirë arriti ta përsosë e ta rregullojë epitetin e të qenit i dijshëm, saqë ata që s’ia njohin potencialin e tij prej intelektuali, mendojnë që krejt çfarë ky ka bërë ose s’ka bërë deri tani, janë kryekëput suksese personale të tij.

Në vend që të bëhet i mençur e të jetë i mirë për “shpi t’vet”, ky vendosi të behët i dijshëm e i mirë për “hallk” e t’i bëjë “’llugë puntë në shpi t’vet”. Iu vu pas aq mirë rirreshtimit në linjat e “burrave të mëdhenj” dhe “politikanëve të suksesshëm”, saqë pranoi që nga fillimi të jetë pjesë e kompromiseve të mëdha e të dhimbshme në dëm të popullit që e qeverisë. Nuk la gur e shkëmb pa rrokullisur, nuk la njeri pa trazuar dhe etiketuar. Herë me hir e herë me pahir, me gjithë potencialin “moral” dhe “intelektual” mori drejtimin e shtetit pak para pavarësisë.

Ky dhe garnitura e tij ishin të vetmit që kishin mundësinë (jo pse kishin meritën, aftësitë dhe njohuritë e duhura, por për faktin që ky dhe një tjetër si ky ishin të vetmit që prodhonin stabilitet për masën) të negocionin me shtetin fqinj kinse për normalizimin e marrëdhënieve ndër-fqinjësore. Pasuan një numër raundesh bisedimesh në Bruksel e gjetiu, fillimisht për çështje teknike e të cilat pashmangshmërisht më vonë rrëshqitën në çështje politike duke bërë koncesione dhe kompromise të shumta dhe të pakthyeshme me përfitime të njëanshme, përfitime për të tjerët e jo për ne. Rezultati i këtyre bisedime të deritashme është më se i qartë. Koncesione tjera të shumta u bënë edhe në shumë aspekte tjera ekonomike dhe sociale brendapërbrenda vendit. Rezultatet nuk duan koment.

Tani jemi në një situatë kur shpresat i kemi varur në ndryshimet që presim dhe duhet të vijnë, shpresat në dikë që do jetë i mençur për “shpi t’vet’ dhe i dijshëm për ne dhe për “hallk”. Shenjat e para të risive për ndryshime të shpejta dhe rrënjësore tashmë po shfaqen në horizont, bile sipërfaqësisht. Vjeshta që po vjen, duket se do të jetë e larmishme si për nga pamja ashtu edhe për nga përmbajtja.