LAJMI I FUNDIT:

Krijohen mbi 2 mijë ndërmarrje të reja

Krijohen mbi 2 mijë ndërmarrje të reja

13 ndërmarrje nga 2 267 kanë regjistruar më shumë se 10 punëtorë në ndërmarrjet e tyre përderisa pjesa tjetër ka më pak se 9 punëtorë, thuhet në raport.

Tremujori i parë i këtij viti është karakterizuar me numrin më të madh të ndërmarrjeve të reja të regjistruara brenda tre muajve, në pesë vitet e fundit. Gjatë këtij tremujori janë regjistruar 2.267 ndërmarrje të reja. Për dallim nga tre muajt paraprakë, sipas të dhënave të Entit Statistikor, këta tre muaj janë regjistruar 459 ndërmarrje të reja më shumë apo shprehur në përqindje vërehet një rritje prej 25.4 për qind krahasuar me tremujorin paraprak. Këto të dhëna janë theksuar në raportin e fundit “Repertori statistikor mbi ndërmarrjet ekonomike në Kosovë” të Entit të Statistikave.

“Aktivitetet ekonomike më të preferuara në tremujorin e parë të vitit 2010 janë tregtia me 844 ndërmarrje apo 37.2 për qind, transporti dhe telekomunikacioni me 275 apo 12.1 për qind, ndërtimtaria me 253 apo 11.2 për qind, hotelet dhe restorantet me 226 apo 10 për qind, industria përpunuese 210 apo 9.3 për qind, pasuria e patundshme dhe dhënia me qira me 172 apo 7.6 për qind, pastaj aktivitet e tjera shoqërore dhe personale 139 apo 6.1 për qind, përderisa aktivitetet e tjera përfshijnë pjesën tjetër të mbetur”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të Entit, kategoria e ndërmarrjeve të reja që kanë deklaruar nga 1 deri 4 të punësuar janë rreth 2 195 ndërmarrje apo 96.8 për qind të ndërmarrjeve të reja, në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar janë regjistruar 59 ndërmarrje apo 2.6 për qind, ndërsa kategoritë e tjera përfshijnë pjesën tjetër të mbetur apo edhe nuk marrin pjesë fare.


“13 ndërmarrje nga 2 267 kanë regjistruar më shumë se 10 punëtorë në ndërmarrjet e tyre përderisa pjesa tjetër ka më pak se 9 punëtorë”, thuhet në raport.

As 1 për qind e ndërmarrjeve të reja të regjistruar gjatë këtij tremujori nuk mund të karakterizohen si ndërmarrje të vogla që kanë të punësuar deri në 50 punëtorë.

Por ky tremujor nuk karakterizohet vetëm me numrin e madh të ndërmarrjeve të reja të regjistruara. Në tremujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave statistikore, janë shuar 608 ndërmarrje, që njëherësh është edhe numri më i madh i ndërmarrjeve të shuara gjatë një tremujori. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar këtë vit janë shuar dyfish më shumë ndërmarrje.

Sa i përket shtrirjes së ndërmarrjeve të reja nëpër komuna në tremujorin e parë të vitit 2010 mbizotëron Prishtina me 653 sosh, shprehur në përqindje 28.8 për qind. Në këtë komunë janë mbyllur 124 ndërmarrje. Pastaj vjen Prizreni me 186 ndërmarrje të reja apo 8.2 për qind dhe me 117 ndërmarrje të mbyllura. Në Ferizaj janë regjistruar 180 ndërmarrje dhe janë mbyllur 44, në Gjilan janë regjistruar 139 ndërmarrje të reja dhe 19 janë mbyllura.

Gjatë këtij tremujori janë regjistruar 28 ndërmarrje të reja me kapital me prejardhje të kapitalit të huaj apo 1.24 për qind e ndërmarrjeve të reja të regjistruara gjatë kësaj periudhe. /koha/