LAJMI I FUNDIT:

Kosovë, deficiti 110 milionë euro

Kosovë, deficiti 110 milionë euro

Në muajin e parë të këtij viti bilanci tregtar i Kosovës nuk tregoj shenja të përmirësimit. Deficiti ishte 109.8 milionë euro, krahasuar 87.6 milionë sa ishte në janarin e vitit të kaluar.

Nga të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), të publikuara të premten, është pozitive se eksporti u rrit shumë më shpejt se importi, ndonëse në vëllim ende kanë ndryshime të mëdha. U eksportuan mallra në vlerë 22.8 milionë euro, ose 45.2 për qind më shumë se para një viti, ndërsa importi ishte 132.7 milionë euro, respektivisht 28.4 për qind më i lartë.

Në strukturën e eksporteve dominojnë mallrat e përpunuara , të cilat marrin pjesë 63 për qind. Por, inkurajon rritja e pjesëmarrjes së mallrave të papërpunuara nga 17.8 për qind sa ishte vjet në 24 për qind. Kjo tregon se industria përpunuese është më aktive se një vit më parë. Ndërkaq, më shumë se një e pesta e importeve ka të bëjë me lëndët djegëse, ku përfshihen edhe karburantet. Në total për këta artikuj u paguan 27.5 milionë euro, pastaj vjen ushqimi dhe kafshët e gjalla 26.1 milionë euro, mallrat e përpunuara 23.9 milionë euro, makineritë dhe pajisjet 21.3 milionë euro, produktet kimike – 12.7 milionë euro, mallrat e përpunuara 10.5 milionë euro.

Në muajin janar, sipas ESK-së eksporti më i madh ishte realizuar në Itali 31.9 për qind, Maqedoni 11.4 për qind, Belgjikë 11.3 për qind, Shqipëri 9.5 për qind, Gjermani 4 për qind.
Ndërkaq për import prinë Maqedonia me 15.2 për qind, Serbia 12.0 për qind, Gjermania 9.7 për qind, Kina 7.8 për qind,Turqia 6.6 për qind. Bashkimi Evropian në eksportet e Kosovës merr pjesë 55 për qind,ndërsa në importe 33.3 për qind. Edhe në janar është vërejtur ndikimi i autostradës në rritjen e qarkullimi të mallrave përmes Vërmicës, si në pranim, ashtu edhe në përcjellje. Përmes kësaj pike kufitare janë eksportuar 19.2 për qind të mallrave, ndërsa vjet 6.5 për qind, kurse janë importuar mallra në vlerë 15.8 milionë eurosh, ose 81 për qind më shumë.


Sasia më e madhe e mallrave të qarkulloj përmes Hanit të Elezit, prej nga qarkullojnë 62.7 për qind të eksporteve dhe 29.5 për qind të importeve, por me rënie të dukshme krahasuar me janarin e vitit të kaluar. /Telegrafi/