LAJMI I FUNDIT:

Kosovarët rrezikojnë të mbesin pa bukë

Kosovarët rrezikojnë të mbesin pa bukë

Arat tona sivjet kanë nxjerrë rendimentet me të ulëta të grurit prej se kultivohet kjo kulture bujqësore. Vetëm një javë para se të kryhen korrjet, analizat e para të drejtorive komunale dhe Sindikatës se Bujqve tregojnë se do të mbulohen më pak se 30 për qind e nevojave të kosovarëve për miell.

Sipas fermerëve, kjo gjendje e mjerueshme e bujqësisë e bën Kosovën të varur më shumë se kurrë nga Serbia, pasi sivjet do t’i duhet të importojë nga atje mbi 70 për qind të grurit, apo mbi 250 mijë tonë grurë, prej 410 mijë tonë sa nevojiten.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri, thotë se që 30 vite sa është në bujqësi, ky vit do të mbahet në mend për rendimentet me të ulëta.

“Kjo situatë në bujqësi është alarmuese për institucionet”, thotë Tahiri.


Nga analizat e para që ka sindikata, Tahiri thotë se sivjet nga arat e Kosovës do të hanë më pak se 30 për qind e kosovarëve. Mesatarisht, sipas tij, për një hektar janë grumbulluar 3500 tonë grurë.

Në këtë drejtim, shumë pak ka ndihmuar subvencionimi prej 30 për qind në naftë nga Ministria e Bujqësisë.

Sylë Deshishku, pronar i fabrikës se bukës dhe miellit “Kualiteti”, ka 350 hektarë sipërfaqe të mbjella me grurë dhe subvencionimi nga Ministria me nga 80 euro për hektarë për të është shumë i vogël, pasi sipas tij, një hektar grurë për ta mbjellë bujkut i kushton 900 euro. /Express/Telegrafi/