LAJMI I FUNDIT:

Kosova, plotëson nevojat për bukë vetëm 60 %

Kosova, plotëson nevojat për bukë vetëm   60 %

Në Kosovë ka filluar fushata e korrje - shirjeve të grurit. Deri në përfundim të kësaj fushate, autoritete kompetente besojnë se nga prodhimet e grurit, nevojat e popullatës për konsum të brendshme do të përmbushen deri në 60 për qind. Ndërkaq, pjesa tjetër do të varet nga importi.

Kosova as gjatë këtij viti nuk do të arrijë t’i plotësojë nevojat e popullatës për ushqim nga rendimentet e grurit, thonë zyrtarë të Ministrisë se
Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe përfaqësues të bujqve kosovarë.

Adil Behramaj, zëdhënës në ministrinë e bujqësisë, thotë se nga korrje – shirjet e sivjetme, Kosova do të përmbushë nevojat e rreth 60 për qind të konsumit të brendshëm.

Ai tregon se gjatë një viti, Kosova shpenzon 410 mijë tonë grurë, ndërsa prodhimi vendor gjatë dekadës se fundit ka arritur deri në 280 mijë hektarë grurë, raporton Radio Europa e Lirë.


“Sivjet deri më tani, rendimenti mesatar i sipërfaqes të korrurave është mbi 4 tonë për hektarë dhe presim që të jenë edhe më të larta deri në përfundim. Drithëra të bardha (elb dhe grurë), në gjithë territorin janë rreth 75 mijë hektarë të mbjella. Mirëpo, vetëm grurë të mbjella janë mbi 72 mijë hektarë”, thotë Brahimaj

Pavarësisht faktit se rendimentet e grurit gjatë këtij viti do të jenë më të larta sesa vitin e kaluar, Tahir Tahiri, udhëheqës i Federatës së Sindikatës së Bujqve të Kosovës, thotë se Kosova edhe këtë vit do të varet nga importi i prodhimeve të grurit, deri në 45 për qind. /Telegrafi/