LAJMI I FUNDIT:

Kosova përsëriti gabimet ballkanike në privatizim

Kosova përsëriti gabimet ballkanike në privatizim

Kosova ka pasur një avantazh për sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve publike, porse institucionet e saj i kanë bërë të njëjtat gabime në këtë proces sikurse kanë bërë vendet fqinje. Kështu ka vlerësuar të enjten Boshtjan Jazbec, këshilltar i lartë në FMN dhe në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Në një ligjëratë me temën “Potenciali i rritjes në Ballkan”, Jazbec është shprehur se strategjia e deritashme të cilën e kanë përdorur institucionet kosovare për të realizuar procesin e privatizimit nuk ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Duke folur për këtë proces, Jazbec ka theksuar se privatizimi është një tjetër proces që ka shumë rëndësi për zhvillimin ekonomik të një vendi dhe është menduar se nëse do të ketë privatizim gjërat do të rregullohen.

“Kjo do të duhej të ndodhte nëse privatizimi do të bëhej në mënyrë të duhur konform tregut dhe kjo është arsyeja pse privatizimi mendohet të jetë një lloj makine për rritje të zhvillimit ekonomik”, është shprehur Jazbec, raporton Koha.

Duke përmendur privatizimin që pritet t’i bëhet PTK-së dhe KEK-ut, Jazbec ka theksuar se Kosova nuk e ka kaluar mirë transicionin për sa i përket fushës së privatizimit. “Dihet që PTK-ja dhe KEK-u pritet të privatizohen dhe gjëja më e rëndësishme është që Kosova ka pasur një avantazh në këtë proces. Ajo është e fundit që po e kalon transicionin dhe ajo ka mundur të mësonte nga gabimet e të tjerëve për sa i përket privatizimit. Por po shihet se nga pamundësia për të zhvilluar vendin ekonomikisht janë bërë gabimet e njëjta sikurse në Slloveni e në vende të tjera”, është shprehur Jazbec. /Telegrafi/