LAJMI I FUNDIT:

Kosova pa guvernator deri vitin tjetër

Kosova  pa guvernator deri vitin tjetër

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) me gjasë do të mbetet pa të “zotin e shtëpisë” deri në vitin e ardhshëm, pasi që ende nuk është shpallur konkursi për guvernator të ri. Pas shkarkimit nga detyra të guvernatorit Hashim Rexhepi javë më parë nga Kuvendi i Kosovës, ushtruesi i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, ende nuk e ka nënshkruar dekretin për shkarkimin e Rexhepit, me ç’rast edhe nuk ka mundur të shpallet konkursi për përzgjedhjen e pasardhësit të këtij të fundit.

Bilall Sherifi, shef i kabinetit të presidentit në detyrë, Jakup Krasniqi, ka thënë të dielën për “Zërin” se pas shkarkimit të guvernatorit Rexhepi në Kuvend, procedura e shkarkimit të tij ka arritur tashmë në tavolinën e presidentit, mirëpo, sipas tij, për shkak të situatës së krijuar politike në vend, numri një i shtetit nuk është marrë intensivisht me çështjen e guvernatorit.
Ai ka shtuar se për ta dekretuar shkarkimin e guvernatorit, presidenti duhet të koordinohet edhe me përfaqësuesit e Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO).

Në anën tjetër, eksperti i ekonomisë, Nagip Skenderi, ka theksuar se Banka Qendrore e Kosovës, si institucioni më i lartë monetar dhe për mbikëqyrje financiare, nuk bën të mbetet pa guvernator.
Ai i rekomandon institucioneve kompetente që përzgjedhjen e guvernatorit të ri ta bëjnë në procedurë më të shpejtë që është e mundur. “Guvernatori i BQK-së duhet të zgjidhet sa më shpejtë që është e mundur. Për këtë Bordi dhe institucionet tjera kompetente duhet ta gjejnë një zgjidhje”, ka potencuar ai.

Sipas Skenderit, vonesa e përzgjedhjes së guvernatorit të ri do të ketë ndikime negative në ekonominë e vendit, sidomos në marrëdhëniet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me procesin e anëtarësimit të vendit në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). /Telegrafi/