LAJMI I FUNDIT:

Kosova në shtator aplikon për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

Kosova në shtator aplikon për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër

Me ftesë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nga data 30-31 mars, kanë qëndruar në një vizitë dyditore, për herë të parë në Kosovë, përkatësisht në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, delegacioni i lartë i Këshillit të Byrove të Kartonit të Gjelbër– me seli në Bruksel.

Kjo vizitë është vazhdimësi e takimeve që BQK-ja po ndërmerr me qëllim të gjetjes së rrugës adekuate për anëtarësim sa më parë të Kosovës në Këshillin e Byrove.
Në takim me udhëheqësit e BQK-së dhe Ministrisë së Financave, mysafirët janë njoftuar mbi zhvillimet kryesore ekonomike, financiare e posaçërisht ato në industrinë e sigurimeve në Kosovë.

U.d i Guvernatorit Gani Gërguri nënvizoi rëndësinë dhe ndërlidhjen e këtij anëtarësimi në kontekst të mbështetjes së lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave në dhe nga Kosova me shtetet tjera të Evropës, duke theksuar edhe implikacionet që gjendja ekzistuese i ka edhe në lëmin e konkurrencës ekonomike të vendit tonë me vendet tjera.

Kurse, zëvendësguvernatori Nexhat Kryeziu, theksoi aktivitetet që janë në zhvillim e sipër nga ana e BQK-së për plotësim të legjislacionit i cili do të mundësojë anëtarësimin sa më të shpejtë në këtë institucion duke nënvizuar gatishmërinë e BQK-së që pas aprovimit të Ligjit mbi sigurimet e detyrueshme të themelojë edhe Byronë Motorike si dhe Fondin e posaçëm për t’u përgjigjur kërkesave që parashtron Byroja e Kartonit të Gjelbër.


Zyrtarë të Mbikëqyrjes së Sigurimeve të BQK-së, e njoftuan delegacionin rreth infrastrukturës ekzistuese ligjore të sigurimeve, performancën e saj financiare si dhe sfidat në të ardhmen. Të njëjtat tema u trajtuan edhe në takimet me përfaqësuesit e industrisë së sigurimeve si dhe Fondin e Garancisë së Kosovës.

Mysafirët premtuan që të mbështesin iniciativën e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. Pritet që në shtator të shtrohet kërkesa e Kosovës në Asamblenë e përgjithshme të Kartonit të Gjelbër , në mënyrë që Kosova të pranohet apo eventualisht të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila do të hapte rrugë që makinat me targa të Kosovës të lëvizin lirshëm edhe në vendet e tjera dhe po ashtu të njihet edhe Kartoni i Gjelbër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe shtetasve që vizitojnë Kosovën , pra të mos kenë nevojë të paguajnë polica kufitare. /Telegrafi/