LAJMI I FUNDIT:

Kosova kryeson CEFTA-n

Kosova kryeson CEFTA-n

Kosova nuk do të dështojë të kryesojë CEFTA-n. Ky projekt rajonal që nga janari i vitit të ardhshëm do të menaxhohet nga institucionet kosovare, thonë zyrtarë të Qeverisë në dorëheqje. Por, sipas tyre, kryesimi do të bëhet pa simbole shtetërore të vendeve anëtare të CEFTA-s.

Pavarësisht zhvillimeve të fundit në skenën politike në vend, Kosova nuk do të humbë kryesimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore – CEFTA, thonë autoritete përgjegjëse, sipas të cilëve, menaxhimi do të ndodhë, por pa simbole shtetërore të vendeve anëtare të CEFTA-s.

Më një janar të vitit 2011, Serbia, e cila sivjet ka udhëhequr me këtë mekanizëm, do të ia kalojë kryesimin Kosovës, pasi vendi anëtar për të kryesuar me radhë këtë projekt është Kosova.

Flamur Keqa, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, lidhur me këtë thotë se Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për ta kryesuar këtë mekanizëm ndërkombëtar. Keqa, i cili në fund të javës se kaluar është kthyer nga Beogradi, ku ka qenë pjesëmarrës në takimin e ministrave të shteteve anëtare të CEFTA-s, thotë se në këto takime është diskutuar edhe kryesimi i radhës, si dhe ka treguar gatishmërinë e institucioneve kosovare për ta menaxhuar këtë projekt rajonal.


“Pa dyshim, për momentin po them, se në aspektin politik Kosova nga një janari është kryesuese e CEFTA-s. Dhe, ne, po ashtu, përpos përgatitjeve të deritashme, jemi duke zhvilluar edhe përgatitjet më konkrete dhe analitike sa i përket kryesimit të CEFTA-s dhe organizimit të një varg takimesh që do të mbahen gjatë vitit 2011”, thotë Keqa.

Keqa, ndërkaq shton se autoritetet kompetente tashmë kanë përgatitur programin për të kryesuar me CEFTA-n, i cili, sipas tij, është aprovuar nga të gjitha shtete anëtare të këtij mekanizimi. Por, kjo çështje në aspektin politik, thotë Keqa, ende nuk është finalizuar. “Për modalitetet më konkretisht duhet të vendosë aspekti politik, mirëpo një nga modalitetet është ai i mosvendosjes së simboleve të ndryshme të asnjë shteti. Por, sidoqoftë, kryesimi do të bëhet nga përfaqësuesi i Kosovës”, shpjegon Keqa.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike, thonë se gjendja aktuale politike, mund të ndikojnë në kryesimin e CEFTA-s.

Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se, pavarësisht zhvillimeve politike në vend, autoritetet kompetente nuk duhet të humbin rastin për udhëheqjen e këtij mekanizimi. “Ndikimet tjera që mund të pretendojnë se Kosova nuk ka një stabilitet politik për momentin në mungesë të një Qeverie, sidomos në muajit e parë të vitit të ardhshëm mund të ndikojnë në rrezikimin e CEFTA-s. Por, shpresoj se të gjitha këto nuk do të merren parasysh dhe Kosova do ta marrë kryesimin e CEFTA-s”, thekson Musa.

Sidoqoftë, Kosova zyrtarisht është bërë anëtare e CEFTA-s në korrik të vitit 2007, e cila në atë kohë ishte nënshkruar nga ish-shefi i UNMIK-ut.

Por, që nga dhjetori i vitit 2008, Serbia dhe Bosnja kanë bllokuar produktet e Kosovës, për shkak të ndërrimit të vulave të doganave nga të UNMIK-ut në ato të Republikës se Kosovës. /Rel/Telegrafi/