LAJMI I FUNDIT:

Kosova është e interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit me Kuvajtin

Kosova është e interesuar për zgjerimin e bashkëpunimit me Kuvajtin

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE) Besim Beqaj ka theksuar interesimin e Republikës së Kosovës për bashkëpunim ndërshtetëror me Kuvajtin në implementimin e projekteve zhvillimore të përbashkëta në fushën e ekonomisë, ndërsa shprehu bindjen se ky vend së shpejti do të ndërmarrë hapa konkretë drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Këto komente ministri Beqaj i bëri sot gjatë takimit me Delegacionin e Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë të Kuvajtit, të kryesuar nga Waleed Al-Tabtabae, kryetar i komisionit Ekzekutiv të Grupit, ku diskutuan mundësitë e bashkëpunimit bilateral.
Ministri Beqaj ka ngritur mundësinë e dërgimit të punëtorëve sezonal në Kuvajt nga fusha e shëndetësisë dhe inxhinierisë, që do të ndikonte në uljen e papunësisë në Kosovë.
Ai tha se Kosova ka një bazë solide të legjislacionit për inkurajimin dhe mbrojtjen e investimeve të huaja direkte në vend dhe trajtimin e investitorëve të huaj në mënyrë të barabartë me investitorët vendorë.
Ministri po ashtu ka njoftuar delegacionin nga Kuvajti me potencialet e Kosovës për investime me theks të veçantë ato në fushën e energjetikës, transportit dhe telekomunikacionit.
Nga ana tyre, delegacioni nga Kuvajti njoftoi ministrin Beqaj se ky vend është i gatshëm për ndihmë në formë të granteve në infrastrukturë dhe shëndetësi.
Gjithashtu, ata shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve duke vlerësuar se kjo vizitë është realizuar me këtë qëllim. /Telegrafi/