LAJMI I FUNDIT:

Kosova e Shqipëria me linjë energjetike

Kosova e Shqipëria me linjë energjetike

Nesër (e mërkurë), do të mbahet ceremonia zyrtare e fillimit të punimeve të linjës së transmisionit 400 kilovoltësh mes Kosovës dhe Shqipërisë. Linja 400kV e transmisionit Kosovë-Shqipëri është një nga investimet më të mëdha të transmisionit në Kosovë dhe është e rëndësisë së veçantë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin.

Linja është një projekt i shëndoshë ekonomikisht dhe do t’i shërbejë prosperitetit të ekonomisë kosovare në të ardhmen. Duke pasur parasysh rentabilitetin ekonomik të projektit, përveç grantit të qeverisë gjermane prej 16.5 milionë euro, KfW Entwicklungsbank ka lëshuar një kredi të butë në vlerë prej deri 17 milionë euro.

Kjo është kredia e parë zhvillimore e dhënë nga një donator ndërkombëtar për një investim kapital në Republikën e Kosovës. Qeveria gjermane tanimë ka zotuar 42 milionë euro për Republikën e Shqipërisë për t’u implementuar nëpërmjet KfW-së për financimin e ndërtimit të kësaj linje transmisioni në territorin e Shqipërisë.

Ky investim do të stabilizojë transmisionin e energjisë elektrike në Kosovë. Po ashtu do të mundësojë një shkëmbim të balancuar mirë të energjisë elektrike me Shqipërinë. Për më tepër, projekti do t’i jep shtysë integrimit të sistemit të transmisionit të Kosovës në rrjetin e transmisiont të Evropës Juglindore dhe me këtë sistemit të gjerë të transmisionit të Evropës.


Zotimet e qeverisë gjermane për bashkëpunim financiar me Kosovën gjatë 12 viteve të fundit kapin vlerën prej më shumë se 210 milionë euro dhe fokusohen në përkrahjen e sektorit të energjisë, atij financiar dhe të ujit. Sektori i energjisë, për të cilin qeveria gjermane që nga viti 1999 ka zotuar më se 100 milionë euro për bashkëpunimin binanciar është fushë kyçe e bashkëpunimit financiar gjerman me Kosovën.

Bashkëpunimi fokusohet në nevojat afatgjata për investime në fushat e transmisionit , efiçiencës së energjisë dhe ngrohjes qendrore.

Në ceremoni do të marrin pjesë Kryeministri Hashim Thaçi dhe Ministrin gjerman për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel. /Telegrafi/