LAJMI I FUNDIT:

Kosova e Re nis më 2013

Kosova e Re nis më 2013

Punimet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, pritet të fillojnë në vitin 2013, bëjnë të ditur zyrtarë të qeverise. Sipas tyre, për ndërtimin e këtij projekti, në garë gjenden katër konsorciume ndërkombëtare. Por, ekspertë të energjetikës, dyshojnë në kualitetin e kompanive të para - kualifikuar, madje i rekomandojnë ekzekutivit që të përsëritin tenderin për para - kualifikim.

Në muajin shtator të këtij viti, pritet që të shpallet tenderi për ndërtimin e termocentrali “Kosova e Re”, ndërsa në muajin mars të vitit 2012 pritet që të shpallet kompania fituese për realizimin e këtij projekti, bëjnë të ditur zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Lorik Haxhiu, menaxher i projektit, thotë se deri në fund të vitit të ardhshëm do të përfundojë i tërë procesi, ndërsa punimet në terren për ndërtimin e termocentralit, sipas tij, do të nisin në fillim të vitit 2013. “Tenderi për Termocentralin Kosova e Re është në finalizim, pritet që të merren disa vendime nga Komiteti Drejtues i Projektit, në mënyrë që tenderi të shpallet rreth muajit shtator të këtij viti. Pas kësaj, pritet që ofertat të pranohen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa fituesi për ndërtimin e këtij termocentrali të shpallet në muajin mars 2012”, theksoi Haxhiu.

Ndryshe, katër konsorciume ndërkombëtare, nga gjashtë sa kishin aplikuar për këtë projekt, i kanë përmbushur kriteret për ndërtimin e termocentralit, transmeton Radio Evropa e Lirë.


Konsorciumi Adani Power/PT Adani Global nga India dhe Indonezia, konsorciumi AES Electric lid/ Demir Export A.S nga SHBA-të dhe Turqia, Park Holding nga Turqia dhe konsorciumi PPC Contour Global LLP nga Greqia dhe Britania, janë ofertuesit e kualifikuar për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”.

Por, ekspertë të energjetikës, vlerësojnë se autoritete kompetente duhet të rishpallin tenderin për para – kualifikim.

Eksperti Agron Dida, dyshon në kualitetin e kompanive që tashme janë në garë, pasi sipas tij, asnjëra nga këto nuk janë kompetente për të ndërtuar ndonjë termocentral. “Do të jetë një rrezik i madh që ato do të fillojnë eventualisht dhe do të lënë projektin në gjysmë. Ky projekt është shumë serioz, kurse kompanitë asnjëra, sipas meje, nuk janë kompetentet për të ndërtuar një termocentral të tillë” thekson Dida.

Sidoqoftë, termocentrali Kosova e Re, parashihet t’i ketë fillimisht 300 megavat, me mundësi të shtimit edhe të 300 megavateve të tjera, zhvillimin e minierës se Sibovcit dhe rehabilitimin e termocentralit Kosova B.

Termocentrali Kosova e Re llogaritet të jetë një ndër projektet më të mëdha në vend, ndërsa kostoja për ndërtimin e tij, vlerësohet të jetë 1.5 miliard euro. /Telegrafi/