LAJMI I FUNDIT:

Kongresi amerikan ende në ‘ngërç’ për miratimin e ndihmës financiare

Kongresi amerikan ende në ‘ngërç’ për miratimin e ndihmës financiare

Restoranti i njohur i Nju Orleansit, K-Paul’s Louisiana Kitchen, nuk ekziston më – një tjetër viktimë e pandemisë COVID-19.

“Rezistuam sa mundëm, por nuk kishim tjetër rrugëdalje”, thotë bashkëpronarja Brenda Prudhomme për Zërin e Amerikës.


Nuk ishte e lehtë. Ky restorant ka qenë i preferuar për banorët lokalë dhe një ndër më të njohurit në Dristriktin Francez, një lagje e famshme e këtij qyteti historik.

Xhaxhai i saj, Paul Prudhomme, kuzhinier i njohur, e hapi atë 40 vjet më parë duke popullarizuar kuzhinën kreole dhe gatimin kejxhun të zonës.

“Restoranti K-Paul’s ishte shumë i dashur për ne dhe klientët që kanë ardhur këtu prej dekadash. Por kur ndodh një krizë globale dhe qeveria nuk bën sa duhet për të ndihmuar biznesin e vogël, mbetëm me zgjedhje shumë të rënda përpara”, thotë Brenda.

Negociatat disa muajshe në Kongres nuk kanë sjellë zgjidhje për paketën e re të ndihmave që do të mbështeste amerikanët në nevojë. Përpjekjet e fundit dështuan në Senat në fillim të muajit, pasi demokratët kërkojnë një paketë më të gjerë, ndërsa republikanët kërkojnë kufizimin e ndihmave. Të dyja palët shkëmbyen akuza për dështimin. Shumë mendojnë se nuk ka gjasa që Kongresi të miratojë ndihma para zgjedhjeve të nëntorit.

Dështimi në këto përpjekje ka ndikuar rëndë tek dhjetëra miliona amerikanë që filluan të marrin ndihma në pranverë, por tani kanë mbetur pa mbështetje pasi ndihmat skaduan.

Kur pandemia COVID-19 u shfaq në Shtetet e Bashkuara në shkurt, ekonomia e vendit dukej se po shkonte drejt kolapsit. Në muajin prill, papunësia arriti në 14.7 për qind, më e larta që nga Depresioni i Madh.

Në fund të marsit, Kongresi miratoi paketën prej 2.2 trilionë dollarësh. Paketa ofroi mbështetje të konsiderueshme për amerikanët në vështirësi, përfshirë asistencë papunësie prej 600 dollarësh në javë.

Pagesat skaduan në korrik, duke prerë ndihmat për qytetin e Nju Orleansit, ku industria e turizmit dhe hotelerisë, që punësojnë 20 për qind të krahut lokal të punës, u goditën rëndë nga pandemia.

Kevin Caldwell ishte shumë i kënaqur me asistencën e papunësisë që po merrte në fillim. Para pandemisë, ai punonte si banakier në një klub të suksesshëm, ndërsa bashkëshortja punonte në një restorant.

“Kemi punuar prej dekadash në sektorin e shërbimit ushqimor. Njoh mirë klubet muzikore, e kam të sigurt që ky sektor nuk do të kthehet deri kur të përfundojë pandemia. Nuk e kemi ne në dorë, s’kemi çfarë të bëjmë, veçse të presim”, thotë Caldwell.

Gjatë muajve të parë të pandemisë, Caldwell tha se ai dhe bashkëshortja merrnin 847 dollarë në javë si asistencë. Kur asistenca skadoi, ndihmat ranë në 247 dollarë në javë.

“Nuk jemi ende në krizë, por shumë pranë saj. Së shpejti nuk do të jemi në gjendje të paguajmë sigurimet shëndetësore, gjë që është e frikshme në kohë pandemie”, shton ai.

Ligji për Asistencën gjatë pandemisë COVID-19, i njohur si Akti CARES nuk kishte për qëllim të ndihmonte vetëm individët që po hasin në vështirësi. Nisma si Programi i Mbrojtjes së Rrogave (PPP) dhe Kreditë për Dëmin Katastrofal Ekonomik (EIDL) u financuan për të ndihmuar bizneset e prekura nga pandemia duke i ndihmuar ata të mbajnë dhe paguajnë punonjësit, dhe për të përballuar humbjet e të ardhurave.

Bizneseve që u kualifikuan për një hua PPP, për shembull, iu dhanë fonde të mjaftueshme për t’iu paguar pagën punonjësve të tyre për rreth 10 javë. Shumë ekonomistë besojnë se mund të duhet deri në vitin 2022 apo edhe 2023 para se të rimëkëmbet plotësisht ekonomia amerikane.

“Ne morëm ndihmë nga ato programe”, tha Prudhomme, “por në të vërtetë është vetëm një ndihmë e vogël. Të ardhurat nga pranvera janë shumë të rëndësishme në New Orleans, sepse verat këtu janë mjaft të shkreta. Tani kemi humbur pranverën, verën dhe gjithashtu do të humbasim vjeshtën. Financimi që morëm nuk ishte i mjaftueshëm për të na mbështetur. Ne shpresonim për një raund të dytë, por ai nuk erdhi kurrë”.

Një tjetër person nga New Orleans, Joe Frisard, ka përjetuar sfida të ngjashme. Ai është një profesionist i pavarur, me flukse të ardhurash të ndryshme si nga videografia, puna në restorant dhe dhënia me qira e një pjesë të shtëpisë së tij në Airbnb.

Ai mori një pagesë stimulimi financiar prej 1,200 dollarësh, si dhe një lloj ndihme nga programi EIDL, por thotë se asnjëri nuk është i mjaftueshëm gjatë një pandemie që zgjatet pa fund.

“Unë kam humbur 40 për qind të të ardhurave të mia gjatë COVID-it, por të gjitha faturat e mia janë të njëjtat. Gjatë pranverës, me të gjitha festivalet e New Orleansit, unë mund të fitoja deri në 4,000 dollarë në muaj duke dhënë me qira një dhomë në shtëpinë time. Për shkak të Coronavirusit, totali im nga mesi i marsit deri në maj nuk ishte as 1,000 dollarë gjithsej”, tha ai.

Frisard tha se parashikon se mund të përballonte edhe pesë muaj para se t’i duhej të fillonte të tërhiqte para nga fondi i tij i pensionit. Por ai është i zemëruar sepse mendon se politikanët duhet të bëjnë më shumë për të ndihmuar amerikanët të përballojnë një krizë kaq të rrallë dhe të rëndë.

“Unë jam me fat që kam para të kursyera. Shumë njerëz nuk e kanë as këtë. Njerëzit po mbeten të pastrehë. Nuk mund të paguajnë për ushqimin. Dhe Kongresi nuk është në gjendje të kalojë një stimul tjetër? Ata po luajnë politikë me jetën e njerëzve dhe kjo nuk është e moralshme”, pranoi ai.

Caldwell tha se ai po vëzhgon veprimet e të dyja palëve, ndërsa debatet rreth mbështetjes shtesë për amerikanët dhe bizneset në vështirësi vazhdojnë, sepse është një çështje shumë e prekshme për të, si dhe për shumicën e amerikanëve. Është gjithashtu një çështje që ai mendon se duhet të luajë rol në garën presidenciale të nëntorit, si dhe zgjedhjet për Kongresin.

“Ndikon tek unë, prek gruan time, ndikon në kompaninë në të cilën punoj, ndikon tek bashkëpunëtorët e mi dhe prek në një farë mënyre shumicën e banorëve të New Orleans. Prandaj po e ndjek me kujdes. Veprimet e secilës parti do të ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si unë do të votoj këtë nëntor”, tha ai. /Zëri i Amerikës/