LAJMI I FUNDIT:

Konfirmohet Jaffa Cakes i rrezikshëm

Konfirmohet Jaffa Cakes i rrezikshëm

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka pranuar rezultatet e analizës së keksit Jaffa, prodhim i Crvenkës nga Serbia, sipas të cilave ky produkt është i rrezikshëm për konsum. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Slloveni ka publikuar raportin analitik të produktit Jaffa cakes, sipas të cilit rezulton se ambalazhi i tij ka dozë të madhe të materies së rrezikshme benzofenon.

Analizat e bëra tregojnë se sasia e gjetur e materies së rrezikshme benzofenon është 55.58, ndërsa limiti legjislativ e parasheh atë asnjë pikë më shumë se zero, për shkak se është e rrezikshme për shëndetin e njeriut.

Inspektorati i Tregut në Slloveni ka konfirmuar se ambalazhi i këtij produkti paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorëve, sepse përmban vlera të larta të fotoiniciatorit benzofenon dhe atij 4-metilbenzofenon, të cilët nëpërmjet folies plastike lehtë kalojnë në keks.

Në ndërkohë ky produkt edhe pse tashmë nuk ekziston në tregjet e Kroacisë dhe Sllovenisë, në disa markete në Kosovë vazhdon edhe më tutje të shitet.


Ndryshe, kohë më parë kompania nga Serbia Jaffa ka tërhequr të gjitha prodhimet e veta nga tregu i Sllovenisë dhe Kroacisë, për shkak të ambalazhit, i cili përmban materie të rrezikshme për jetë, por jo edhe nga Kosova ku Jaffa cakes vazhdon të shitet në markete.

Prodhimet e kompanisë Jaffa kanë qenë në qendër të vëmendjes që nga vitit 2007 kur në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe në Serbi nga shitja ishte tërhequr “Muchmalou” për shkak të dyshimit se është i infektuar me salmonel. /Telegrafi/