LAJMI I FUNDIT:

Konfindustria mbështet procesin e kryerjes së faljes fiskale

Konfindustria mbështet procesin e kryerjes së faljes fiskale

Administratori i Përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku reagoi të dielën lidhur me nisjen e procesit të kryerjes së faljes fiskale duke thënë se Konfindustria e mbështet në parim këtë iniciativë, por vëren me shqetësim se qeveria shqiptare me vonesat e saj të paarsyetuara ka shkaktuar praktikisht humbjen e mundësive të mëdha të përfitimeve nga kryerja e procesit në fjalë, si pasojë e veprimeve të ngjashme konkurruese nga vendet fqinje.

“Shqetësimi vjen pas zbatimit të faljes fiskale në shkallë të gjerë për subjektet dhe qytetarët e huaj dhe vendas në Greqi dhe qytetarëve të saj jashtë vendit, që ka çuar deri në 1.5 miliard euro të ardhura në buxhetin e shtetit pa përmendur dhjetëra miliardë euro të hyra në ekonominë greke”, tha Buxhuku, duke shtuar se vendet e tjera konkurrente të rajonit përveç Greqisë, po veprojnë me shpejtësi, deri në veprime të dëshpëruara për tërheqjen e lukseve financiare ndërkombëtare drejt ekonomive të tyre.

“Kihet parasysh për sa më sipër nisma e qeverisë së Malit të Zi deri për shitjen e nënshtetësisë për qytetarët e huaj gjatë vitit 2010, që investojnë 500 mijë euro, faljen e përsëritur e të njëpasnjëshme fiskale të Qeverisë së Italisë, etj. Turqia gjithashtu nëpërmjet faljes fiskale të filluar në fillim të vitit 2011 ka futur në sistem mbi 25 miliardë euro”, tha Buxhuku.

Konfindustria vlerëson se falja fiskale, duke patur parasysh veçoritë e ekonomisë kombëtare, në radhë të parë duhet ti drejtohet qytetarëve shqiptare brenda dhe jashtë vendit.


“Konfindustria, mendon se është krejtësisht e papranueshme, që në një hapësirë kohore 20 vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale, Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon, që nuk ka kryer asnjë falje fiskale”, tha Buxhuku. /Telegrafi/