LAJMI I FUNDIT:

Kompania CEZ nën hetime të Komisionit Evropian

Kompania CEZ nën hetime të Komisionit Evropian

Komisioni Evropian ka filluar zyrtarisht një hetim ndaj kompanisë ceke CEZ. Kjo kompani është pjesëmarrëse në tenderin “Kosova C”, ndërsa ka blerë edhe kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjisë elektrike, OSSH.

Komisioni Evropian ka filluar zyrtarisht një hetim ndaj kompanisë ceke CEZ, nën dyshimin se ka përdorur praktika ilegale dhe kufizim të konkurrencës në treg nga ana e kësaj kompanie.

CEZ, kompania më e madhe energjetike në Europën Lindore, dyshohet se ka përdorur fuqinë e saj financiare për të nxjerrë nga tregu konkurrentët e tjerë dhe duket se ka rritur artificialisht çmimet e energjisë në tregun çek.

Hetimi mund të zgjasë disa muaj dhe nëse ekspertët e Komisionit Europian do të arrijnë të provojnë dyshimet e ngritura kompania çeke rrezikon një gjobë, e cila mund të arrijë deri në 1.8 miliardë dollarë.


Komisioni Europian është shumë i rreptë në praktikat antikonkurruese dhe sipas ligjit, çdo kompani që përdor këto praktika nëse vërtetohet gjobitet deri në 10 për qind të xhiros vjetore.

Lajmi është bërë publik edhe në ëebsite-në zyrtar të grupit çek, i cili deklaron se e mirëpret hetimin dhe është shprehur i gatshëm të vë në dispozicion të ekspertëve të KE-së gjithë dokumentacionin e nevojshëm.

CEZ, një kompani e zotëruar në masën 70 për qind nga qeveria çeke, po shndërrohet në një nga kompanitë më të mëdha energjetike në gjithë Europën përmes blerjeve masive të kompanive të tjera energjetike.

Aktualisht CEZ Grup përfshin një konglomerat prej 96 kompanish, të shtrira kryesisht vendet e ish-Bllokut Lindor. Vitin i kaluar CEZ hyri edhe në tregun shqiptar duke marrë monopolin e shpërndarjes së energjisë elektrike përmes blerjes së OSSH-së për një vlerë prej rreth 128 milionë euro.

Asetet e CEZ grup llogariten në disa miliardë euro, ndërkohë që vetëm vitin e kaluar kompania ka arritur të realizoje një xhiro vjetore prej rreth 11 miliardë dollarësh, gati sa produkti i brendshëm bruto i Shqipërisë.

(tch)