LAJMI I FUNDIT:

Kombi Shqiptar apo Kosovar?

Në kohën e sotme dominojnë dy koncepte të kombit dhe atë kombi i shtetit dhe kombi i kulturës. Komb i kulturës është një bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe formimit psikik qe shfaqet në bashkësinë e kulturës. Ndërsa kombi i shtetit mbështetet me së shumti në fuqinë bashkuese të një historie e të një kushtetute të përbashkët politike. Jo gjithë herë shteti e krijon kombin, çka do të thotë se është edhe e kundërta e saj, kur kombi e krijon shtetin, shembull konkret kemi Gjermanin dhe Italinë.

Po ashtu edhe shteti shqiptar u krijuar nga të gjithë shqiptarët, të cilët kishin një qellim dhe synim të përbashkët, bashkimin kombëtar. Jo rastësisht shteti amë, Shqipëria është quajtur si shtet shqiptar, po ashtu edhe mbretëria e Zogut është quajtur si mbretëria shqiptare dhe e gjithë kjo ka qenë në mënyrë qe t’i përfshin të gjithë shqiptarët jashtë kufijve të Shqipërisë londineze.


Ernest Renani në përkufizimin e tij për kombin thotë: Kombi është një bashkësi e madhe solidare, qe e lidh ndjenja e sakrificës së kryer dhe sakrificave, për të cilat është i gatshëm edhe në të ardhmen.

Shqiptarët i lidhë ndjenja e sakrificave në të kaluarën, por edhe ato në të ardhmen, po ashtu edhe gjuha, tradita, gjaku, si dhe mbi të gjitha idealet kombëtare. Por çfarë i lidhë ideatorët dhe përkrahësit e kombit kosovar me minoritetet qe jetojnë në Kosovë, përkatësisht me serbet, romet, e të tjerët? Si mund të jenë serbet pjesë e të ashtuquajturit kombi kosovar kur deri tani as qe e kanë pranuar dhe as qe po e pranojnë shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, ndërsa për histori as të mos flasim, kur gjithmonë kemi qenë armiq të njëri-tjetrit dhe shteti serbë ka ushtruar dhunë, gjenocid dhe krime me të tmerrshme ndaj shqiptarëve. Pra çfarë mund të lidhë kombin shqiptar me serbet kur asgjë nuk kemi të përbashkët, pos raportit të viktimës dhe agresorit!

Dikush megjithatë mund të pyes se a janë realizuar idetë dhe idealet e Rilindjes kombëtare shqiptare apo ato kanë dështuar? Rilindja kombëtare shqiptare ishte e lidhur me një shkallë me të lartë të zhvillimit të kombit shqiptar, me konsolidimin e tij, kishte synim të formonte shtetin kombëtar, qe do të përmbushte aspiratat politike, shoqërore, ekonomike e kulturore. Idetë dhe idealet e Rilindjes kombëtare shqiptare janë në realizim e sipër dhe asnjëherë nuk kanë dështuar, ketë gjë nuk duhet harruar, sepse po të mos ishin këto ide dhe ideale as lufta e UÇK-së nuk do të fillonte. Për këto ide dhe ideale deri në luftën e fundit të Ushtrisë së lavdishme të UÇK-së kanë dhen jetën mijëra dëshmorë. Po ashtu duhet ta kemi parasysh se betimi i ushtareve të UÇK-së ka qenë betim për bashkim kombëtar dhe si rezultat i kësaj sakrifice sot e kemi edhe shtetin e dytë shqiptar.

Armiqve tanë ju pengojnë dy shtete shqiptare në Evropën juglindore e jo e kundërta. Shembull tipik kemi rastin e fundit, i cili ndodhi në Itali në ndeshjet futbollistike ndërmjet Italisë dhe Serbisë, ku tifozët serb dogjën flamurin tonë kombëtar, duke brohoritur parulla kundër Kosovës dhe Shqiptarëve.

Shumë përkrahës të kombit kosovar mundohen të manipulojnë me opinionin, duke theksuar se për tu anëtarësuar në OKB duhet të jemi komb, sepse vetëm kombet mund të bëhen anëtarë të kësaj organizate të fuqishme botërore. E vërteta është se në kohën e themelimit të OKB-së ndër qëllimet kryesore qe ia shtronte vetes OKB-ja ishte të përfshinte të gjitha shtetet e botës, pra të bëhej organizatë e përgjithshme, prandaj ishte e hapur për të gjitha shtetet paqedashëse qe do të plotësonin kushtet e caktuara. Neni 4 i kartës së OKB-së parashikon kushtet për hyrje në ketë organizatë ndërkombëtare. Shteti qe do të hyjë në Kombet e Bashkuara, duhet t’i plotësojë katër kushte: të jetë paqedashës, t’i pranojë detyrimet nga karta, të jetë i aftë dhe i gatshëm për t’i përmbushur ato. Vendimi për anëtarësim në Kombet e Bashkuara e merr Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara me dy të tretat e votave, në bazë të rekomandimit paraprak të Këshillit të Sigurimit, ku nevojiten nëntë vota pro, duke përfshirë aty votën e të gjithë anëtareve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Pra për t’u pranuar në OKB nuk është e domosdoshme për të qen komb, por duhet me qenë shtet. Në OKB pranohen shtetet e jo kombet, ndërsa pse nuk pranohet vendi ynë është çështje politike, sepse aty është Rusia, e cila ka të drejtën e vetos, gjë qe na pamundëson me qenë pjesë e OKB-së. Gjithashtu duhet ta kemi të qartë se ne jemi komb dhe atë pjesa dërmuese e qytetareve të Kosovës janë pjesë e kombit shqiptar. Shembull tipik si shtet pa komb është Qipro, por ky shtet është anëtarë i OKB-së, ku qytetaret atje quhen e vetëquhen turq e grekë, ndërsa po ashtu edhe shteti fqinje Maqedonia edhe pse është anëtare e OKB-së realisht ka mungesë identiteti dhe këtë askush nuk mund ta mohon, sepse kjo gjë dihet botërisht.

Disa ideator të kombit kosovar mendojnë se koncepti për kombin dhe të drejtën e vetëvendosjes së kombeve është derivat i teorisë së Stalinit (të cilën përmes Leninit) e pati përvetësuar edhe Wilsoni. Realisht ky mendim është tërësisht i gabuar dhe aspak nuk përkon me demokracinë dhe jetën demokratike, sepse e drejta vetëvendosjes është e drejtë demokratike e cila parashihet me kartën e OKB-së dhe jo vetëm kaq, por edhe referendumi si materializim i së drejtës së vetëvendosjes është paraqitur për herë të parë në mesjetë në kantonet zvicerane si zëvendësim i tubimit të të gjithë zgjedhësve të një kantoni (Landsgemainde), po ashtu me vonë ka gjet shprehje të gjerë edhe në vendet demokratike si SHBA, Francë etj.

Të gjitha këto ide dhe nisma nga intelektualet për kombin kosovar, qe tani mendojnë se kanë të drejtë, do të vijë koha kur do të kuptojnë se ishte një gabim shumë i madh i tyre, sepse së pari, integrimet euro-atlantike nuk janë zgjidhje e problemeve, së dyti, ashtu sikurse nuk kanë arritur që të formojnë kombin jugosllav, po ashtu edhe tani askush nuk do të mund të arrijë të formoj kombin kosovar prej hiçit. Synimi i shqiptarëve është bashkimi kombëtar, kjo e fundit është diçka e domosdoshme, e natyrshme që çdo shqiptar, apo më mirë të them shumica prej tyre, e kanë qellim në një të ardhme.

(Autori ndjek studimet master – Drejtimi Civil në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës)