LAJMI I FUNDIT:

KOHA E JETUAR

KOHA E JETUAR

Rrëfenjë ruse
Përktheu: Bajram Karabolli

Një njeri udhëtonte shumë nëpër botë dhe nëpër vendin e tij të madh. Ishte shumë kureshtar dhe kishte parë plot gjëra interesante. Një herë shkon në një skaj të largët të vendit të tij, ku nuk kishte qenë më dhe për të cilin pothuaj nuk dinte gjë. Para se të hynte në atë qytezë të panjohur, rruga i ra që të kalonte pranë varrezave të saj. Siç thamë ishte shumë kureshtar dhe hyri në varreza dhe mbeti i habitur me çfarë pa. Në secilin gur varri ishte shkruar emri dhe mosha e atij që prehej aty: E. N. 8 vjeç, L. D. 5 muajsh, R. G. 6 vjeç e 4 muajsh, U. F. 3 vjeç e gjysmë, S. K. 9 muajsh, V. Z. 2 vjeç e 8 muajsh, e kështu me radhë. Askush nuk i kalonte 12 vjeç. Pra, të gjithë fëmijë. O zot, çfarë tragjedie paska ndodhur këtu?!


Udhëtarin e largët e mbyti një pikëllim dhe, i përlotur, u ul mbi një gur. Aty vjen kujdestari i varrezës dhe, kur e shikon të përlotur e pyet:

– Ndonjë familjar?

– Jo, zotëri, – i thotë ky. – Çfarë ka ndodhur në këtë vend? Ka rënë murtaja që paskan vdekur gjithë fëmijët?

Kujdestari i varrezave qeshi e tha:

– Duket që qenkeni i huaj dhe nuk e njihni zakonin tonë. Shiko si është puna. Ne kemi një traditë të tillë: kur fëmija mbush 15 vjeç i varim në qafë një bllok të vogël, ku ai duhet të shënojë aty, çdo gëzim apo kënaqësi që i ndodh në jetë, sa zgjat dhe çfarë gëzimi ishte. Për shembull, puthja e parë, dashuria e parë, nata e parë që kaloi me të dashurën apo me të dashurin, një festë, një darkë e gëzuar, një dasmë, etj. Kur njeriu vdes, shikohet ky bllok, i mblidhen gjithë çastet e bukura që ka përjetuar dhe i ka shënuar aty. Kësisoj, ajo kohë llogaritet si jetë e vërtetë për të.