LAJMI I FUNDIT:

Kisha, katedralja dhe xhamia – Vatikani, Kosova dhe Serbia!

Shën Sava në Universitet:

Pas suprimimit të autonomisë, njëri prej më të merituarve për pavarësinë e Kosovës e pastaj “ pelegrin” në Hagë ku edhe e përmbylli karrierën prej krimineli ndërsa për disa “miq ndërkombëtar” cilësohej si paqebërës, Sllobodan Millosheviqi e filloi ridisajnimin e Kosovës, si në aspektin etnik ashtu edhe politik. E vendosi një sistem diktatorial, racial dhe aparteidin e legalizoi me Kushtetutat në fuqi. Afrika e Jugut u bë shembull i demokracisë nëse krahasohej me gjendjen në Kosovë. Rëndësi shumë të veçantë i kushtoi faktorizimit dhe fuqizimit të fesë ortodokse ndonëse hiqej si marksist ortodoks.

Komisarë dhe këshilltarë politikë u bënë murgjit, episkopët dhe patriarkët e Kishës Ortodokse Serbe. Kryetar, jo vetëm shpirtëror i Serbisë u bë ati Pavle, i pari i Kishës serbe. Ai ishte hartues i të gjitha kushtetutave, bekues i të gjitha betejave që përfunduan me humbje të grixhës së “ popullit qiellor”, pra serbëve. Ishte faturë për mbulimin e të gjitha krimeve që i bëri regjimi serb, nga Sllovenia, deri në Luginën e Preshevës! Krimet në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë e kanë vulën e kishës ortodokse serbe! Triada e krimit ortodoks e përbërë nga Artemije, Amfillohije dhe ati Pavle hapi me qindra-mijëra varre dhe zhduku me mijëra e mijëra individë!

Në atë kohë, Kisha ortodokse serbe e filloi një fushatë të ndërtimit të objekteve fetare në lokacionet ku më parë asnjëherë nuk ka pasur kisha dhe ku më së paku ka pasur nevojë të ndërtohen kishat! Maja e kësaj histerie dhe paranoje ishte ndërtimi i kishës së Shën Savës në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, në afërsi të Fakultetit Juridik dhe bri Bulevardit “Agim Ramadani”.

Kjo kishë ishte kishë tipike politike dhe askush prej udhëheqësve politikë kosovarë nuk kishin guxim ta kundërshtonin këtë “monstrum të territ dhe urrejtjes” që lëshonte shtat në hapësirat ku studentët zënin dije! Madje, disa prej tyre ndanin kontribut prej rrogave të tyre për ndërtimin e kishës. Ne që kundërshtonim, kontributin për ndërtimin e kishës ortodokse e paguanim me faturat për shpenzimin e ujit.

Pas përfundimit të luftës, askush nuk e bëri çështje kishën politike sepse ishin të zënë me uzurpimin e banesave, shtëpive dhe lokaleve të serbëve! Udhëheqësit institucionalë as që kishin guxim ta bisedonin botërisht për mundësinë e rrënimit të kësaj kishe e lere më ta rrënonin që do të ishte një veprim shumë i ligjshëm. Një kohë shërbeu si vendstrehim për lypësit nga Shqipëria deri sa ata u përzënë nga aty dhe kisha u rrethua nga KFOR-i me një rrethojë me tela xhemborë!

Aktualisht, Kisha Politike Ortodokse Serbe, sipas pakos së Ahtisarit mund të llogaritet si zonë nën mbrojtje të veçantë dhe është më i sigurt se vet Universiteti i Prishtinës! Kur të bashkohet me konaqet e kishës serbe që gjithashtu gjinden në kompleksin universitar atëherë vërtet nuk do të dihet a është në atë vend Tempulli i Dijes apo Tempulli i Terri – Ferrit, krejt njësoj!

Sulltan Murati dhe Him Gova:

Besimtarët islamë në Republikën e Kosovës përbëjnë, së paku 93% të popullatës. Krerët e Bashkësisë Islame të Kosovës patën bërë vazhdimisht kërkesa te autoritetet vendore që t’u ndahej një lokacion, dikund në qendër të Prishtinës për ndërtimin e një objekti fetar, si psh. Qendra për Studime Islamike dhe një xhamie meqë numri i besimtarëve ishte rritur shumë. Për këtë kërkesë hasën në injorim të plotë të atyre që vendosnin. Madje Him Gova asnjëherë nuk e kaloi pragun e Bashkësisë Islame për t’ i falënderuar këta për kontributin e dhënë në kohën e okupimit, gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj.

Që të jetë paradoks i llojit të vet, asnjëherë nuk i vizitoi as për festat e Bajramit gjë që e praktikonin, në të shumtën e rasteve në formë të ritualit për përfitime politike të gjithë udhëheqësit parapolitikë dhe institucionalë, të vendit dhe “ miqtë ndërkombëtarë”. Him Gova e trajtonte Bashkësinë Islame si UÇK-në, nuk donte të dëgjonte për ta dhe skajshmërisht i shpërfillte ata. Ndërkaq që votat i fitonte nga elektorati i besimit islam.

U bllokuan disa projekte të rëndësishme dhe në dobi të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë kombëtare dhe besimit. Për shkak të fantazmës së “ fundamentalizmit islamikë” dhe dëshirës për rikthim te “rrënjët e besimit krishterë”. Injorohej një besim real ekzistues dhe imponohej një besim tjetër ndonëse e drejta për ushtrimin e fesë është pjesë e korpusit të drejtave elementare të njeriut dhe nuk është diçka e dhuruar apo e imponuar.

Nëse sot e bëjmë një shëtitje të shkurtër nëpër Prishtinë atëherë mund të shohim se xhamitë e vjetra janë nga koha e Sulltan Muratit ndërkaq që të rejat janë ndërtuar kryesisht në periferi të qytetit dhe në lagje të paurbanizuara. Dhe mund ta merrni me mend se çfarë imazhi krijohet në kohën kur feja islame është në defanzivë të plotë e cila identifikohet me dhunën dhe penalizohet në shumë shtete në emër të luftës kundër fundamentalizmit dhe terrorizmit islamik.

Gjatë pushimeve më ka rënë t’i lexoj dy romane që për temë trajtojnë sfondin fetar të besimit islam, “ Xhevahiri i Medinës” nga Sheril Xhons dhe “ Otello, Arapi i Vlorës” i shkruar nga Ben Blushi. I pari në mënyrë shumë përqeshëse tallet me fenë islame dhe shenjtorët e saj. Është karikaturë e vërtetë! Ndërsa Ben Blushi e vazhdon në frymën e një antiislamisti të skajshëm duke i forcuar pozitat e atyre që janë pjesë e këtij fronti!

Mosdurimi i Ben Blushit ndaj besimit islam është diçka patologjike, jonjerëzore! Me moskrijimin e kushteve për përmbushjen e obligimeve fetare për besimtarët islamë hasim në situata kur këta besimtarë ritet e tyre i kryejnë edhe në rrugë sikur gjatë festave të Bajramit andaj mund ta paramendoni se çfarë pamje transmtohet në mediet botërore duke e përçuar kështu mozaikun fetar, në radhë të parë por edhe atë politik, socio-ekonomik, etnik dhe socio-psikologjik në Republikën e Kosovës!

Xhevdet Doda dhe Shën Pjetri:

Në Prishtinë, përballë kompleksit universitar, deri vonë ka qenë një shkollë e mesme me emrin “ Xhevdet Doda”. Një numër i madh i nxënësve i ka vijuar mësimet në këtë gjimnaz dhe ky institucion arsimor ka dhënë shumë kuadro të afta, të të gjitha fushave. Dikush e lëshoi një rrenë të madhe se nuk ka pavarësi apo shtet pa katedrale andaj u mor vendimi për ndërtimin e një katedraleje politike, pikërisht në vendin ku më parë ndodhej objekti i gjimnazit.

Him Gova e ka dashur më shumë Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan se Llapin me gjithë Gollak në Kosovë. Him Gova ka rënë në gjunjë dhe i ka puthur dorën Papa Xhon Palit të Dytë por asnjëherë Baba Adem Jasharit të Parë, Shenjtorit më të Madh dhe të Vërtetë të Shqiptarëve! Him Gova i ka hudhur disa lopata me betone në themelet e katedrales politike por asnjë guralec të vetëm në Prekaz, kryeqytetin dhe Pijemontin e Shqipërisë Etnike!

Ishte një marrëveshje midis Kishës katolike dhe institucioneve arsimore se nuk do të fillonte ndërtimi i katedrales pa përfunduar ndërtimi i gjimnazit. E vërteta është se gjimnazi “ Xhevdet Doda” nuk ka filluar të ndërtohet fare ndërkaq që katedralja, përkundër të gjitha rregullave arkitektonike ka lëshuar shtat dhe po i prekë majat e qiellit. Deri sa besimtarët e besimit katolikë, kanë ku t’i kryejnë ritet e tyre fetare, nxënësit e gjimnazit, në mungesë të objektit i frekuentojnë kafiteritë e qytetit dhe bredhin rrugëve të qytetit.

Afërsisht 50% të nxënësve në Prishtinë kanë mbetur pa u regjistruar në shkollë të mesme. Ata që kanë punuar dhe i vijojnë mësimet në këtë gjimnaz, i kanë kushtet më të rënda se nxënësit në sistemin paralel në Çagllavicë. Mosndërtimi i gjimnazit “ Xhevdet Doda” është mospërmbushje e premtimit dhe marrëveshjes së “ njerëzve të Zotit” dhe manipulim për përfitime politike.

Argumenti se Kosova nuk mund të bëhet shtet pa ndërtimin e katedrales dëshmohet se Kosova u bë shtet, pa katedrale. Pohimi se Kosova më lehtë pranohet nga bota e krishterë me katedrale është së paku qesharak ngase kryeqyteti shpirtëror i katolicizmit, Vatikani pra nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe as që e ka paralajmëruar njohjen! Madje, kryepari i Kishës Katolike, Papa Benedikti i XVI-ë në njërën nga enciklikat e tij shprehimisht ka deklaruar se Kosova është djep i Serbisë!

Përpos dallimeve fetare, a shihni këtu ndonjë ndryshim midis pohimit të Papës dhe zyrtarëve të Serbisë?! Unë nuk shoh! Papa , në enciklikat ( fjalimet) e tij drejtuar besimtarëve urbi et orbi solidarizohet me viktimat që është krejt në rregull mirëpo nuk gjykon kriminelët, që nuk është aspak në rregull! Ndërtimi i një xhamie, kishe, katedrale, tyrbeje, sinagoge, pagode ( te budistët) mbi themelet e një shkolle është sakrilegj, është e barazvlefshme me ndërtimin e ndonjë objekte mbi varre, apo e zëvendësimit të Diellit me Hënën!

Katedralja në Prishtinë është pa dyshim politike dhe nuk e ka vendin aty! Edhe në aspektin arkitektonik është i papranueshëm! Për ta krijuar një mjedis më të rehatshëm dhe vizuelisht të pranueshëm, zyrtarët e Kuvendit Komunal kanë vendosur t’ rrënojë së paku 80 objekte afariste duke i futur në asistencë sociale edhe së paku 500 familje! Në kohën e këtij recesioni ekonomik dhe mjerimi ekonomiko-social po përballemi edhe me mjerimin shpirtëror dhe ligjor! Ka qenë më normale dhe e pranueshme që pronarët e këtyre lokaleve afariste të pajisen me leje ndërtimi për rindërtimin e objekteve dhe të bëhet një qendër afariste sipas standardeve të vendeve të zhvilluara!

Nëse pas rrënimit të këtyre lokaleve afariste , 80 sosh, do të ketë objekte tjera që e pengojnë pamjen dhe punën e katedrales, pavarësisht sa larg janë ato, pse mos të rrënohen edhe ato! Edhe ashtu në Prishtinë kemi një arkitekturë kriminale, një krim tjetër nuk do të thotë asgjë!

Meqë e kemi një kishë ortodokse politike, po e ndërtojmë një katedrale katolike politike, pse atëherë mos ta kemi edhe një xhami politike?! Unë fuqishëm e përkrah ndërtimin e një xhamie politike në Prishtinë! Kisha ortodokse është ndërtuar në tokën e Universitetit të Prishtinës, Katedralja po ndërtohet në themelet e gjimnazit “ Xhevdet Doda” ndërkaq që xhamia politike duhet të ndërtohet në hapësirën para fakultetit filozofik! Mendoj se ka hapësirë të mjaftueshme dhe se Bashkësia Islame do të tregohej qyqare nëse e pranon ndonjë lokacion tjetër për ndërtimin e xhamisë politike! Kështu, së paku në turp do të barazoheshim!

Për veten time nuk kam asnjë paragjykim në baza fetare. I përkas besimit mysliman dhe mundohem, në kuadër të mundësive t’i përmbahem obligimeve fetare. Nuk pajtohem me shumë gjëra që bëhen në emër të fesë islame dhe besoj se ajo që bëhet në emër të fesë islame në disa shtete i bën dëm më së shumti pikërisht fesë islame! Jo vetëm në ato shtete por edhe në Kosovë! Mirëpo në Republikën e Kosovës besimtarët myslimanë janë definitivisht të diskriminuar!

A është normale që besimtarët islamë ritet e tyre fetare t’i kryejnë në rrugë të përbaltura, në kohë me shi dhe borë, nën qiellin e hapur, gjykojeni vet, pavarësisht cilit besim i takoni! Në radhë të parë gjykoni si njerëz pastaj si besimtarë!

(Autori i shkrimit është drejtor ekzekutiv i KMDLNJ-së. Pikëpamjet janë personale)