LAJMI I FUNDIT:

Kinë: Rikthehet rritja dyshifrore

Kinë: Rikthehet rritja dyshifrore

Autoritetet Kineze njoftuan se ekonomia është rikthyer në ritmet e rritjes dyshifrore. Në njoftim thuhet se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ekonomia u rrit 10.7%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë gjithë vitit 2009, ekonomia kineze shënoi një rritje 8.7%, duke i tejkaluar parashikimet zyrtare.

Analistët thonë se Kina u prek nga kriza ekonomike, ndonëse jo aq rëndë sa vendet e tjera. Statisticienët kinezë thonë se viti i kaluar ishte më i vështiri gjatë gjithë kësaj dekade.

Zyrtarët thonë se paketa për stimulimin e ekonomisë, më e madhja në botë në përpjestim me përmasat e ekonomisë, e ndihmoi Kinën që ta përballonte situatën.


Para një viti ekzistonte shqetësimi se rritja ekonomike në Kinë do të ishte shumë e dobët, ndërsa tani ka shqetësim se ritmet e rritjes ekonomike mund të forcohen më shumë se ç’duhet. Shqetësim ka edhe për inflacionin.

Interesat bankare mund të rriten dhe mund të merren masa që monedha vendase të fitojë vlerë ndaj dollarit. Vitin e kaluar GDP-ja në Kinë ishte 4.9 trilionë dollarë. Kjo do të thotë se ekonomia kineze ia ka kaluar asaj të Japonisë dhe është e dyta në botë pas ekonomisë amerikane.

Megjithatë, kjo nuk është e sigurt derisa Japonia të bëjë publike shifrat zyrtare muajin e ardhshëm.

Parashikimi i Bankës Botërore

Banka Botërore thotë se ekonomia globale po del nga recesioni që u shkaktua nga kriza financiare. Në një raport vjetor për parashikimet e ekonomisë globale, Banka Botërore parashikon që këtë vit të ketë një rritje ekonomike në masën 2.7%.

Gjatë vitit 2009 ekonomia globale pësoi tkurrje. Megjithatë, Banka Botërore thotë se rritja ekonomike do të jetë më e ulët nga fundi i vitit kur të fillojë të zbehet efekti i masave stimuluese që kanë marrë qeveritë në vende të ndryshme. /bbc/