LAJMI I FUNDIT:

Këshilli Konsultativ i Biznesit diskuton paketën fiskale

Këshilli Konsultativ i Biznesit diskuton paketën fiskale

Këshilli Konsultativ i Biznesit zhvilloi të hënën mbledhjen e radhës nën drejtimin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naço.

Ministri Naço foli rreth zhvillimit të një realiteti ekonomik gjithnjë e më të ri, në ndryshim të vazhdueshëm dhe me dinamikë të lartë dhe theksoi se Ministri i Ekonomisë do të jetë gjithmonë një avokat i bizneseve dhe do të mbështesë çdo nismë ligjore që do të ndërmerret nga ana e tyre.

Zv/ministri i Financave, Alfred Rrushaj, parashtroi një përmbledhje të katër projektligjeve të propozuar nga Ministria e Financave, të cilat lidhen me ndryshime të caktuara në ligjet për akcizat në Republikën e Shqipërisë, për taksat kombëtare, sistemin e taksave vendore dhe miratimin e niveleve të tarifës doganore.

Kryetari i Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, lidhur me ligjin e akcizave, theksoi se, projektligji i propozuar stimulon më tepër prodhuesit e vegjël vendas, të cilët në të shumtën e rasteve janë të paçertifikuar, ndërkohë që nuk promovon bizneset e mëdha prodhuese të birrës. Zoti Jaka gjithashtu, theksoi se taksa e karbonit do ta rëndojë shumë biznesin prodhues vendas dhe për individët, duke qenë se kjo taksë do të çojë në rritjen direkte të çmimit të karburanteve.


Përfaqësuesi i Dhomës Kombëtare të Prodhimit të Veshjeve dhe Këpucëve, Flamur Hoxha, lidhur me projektligjin për uljen e tarifave doganore për veshjet, kërkoi që të merret në konsideratë edhe ulja e tarifave doganore për industrinë e lëkurë këpucës, kërkesë të cilën zoti Rrushaj e propozoi të rishihej në një periudhë më të vonshme.

Zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo theksoi se në 1 gusht 2011, hyn në fuqi edhe Marrëveshja e Tregtisë së lirë me Turqinë, çka do të thotë se importimi i lëndëve të para për veshjet mundësohet pa tarifë doganore nga vendet e BE-së dhe nga vendet e marrëveshjes së Mesdheut.

Ndërsa, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë Shqipëri – Britani, Zenel Hoxha, tha se këto nisma ligjore i japin më shumë mundësi bizneseve shqiptare që të dalin në tregjet rajonale e globale me logon “Made in Albania”./Telegrafi/