LAJMI I FUNDIT:

KEK apelon për ruajtjen e aseteve elektroenergjetike

KEK apelon për ruajtjen e aseteve elektroenergjetike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) apelon tek të gjithë qytetarët, që të mos i dëmtojnë asetet elektroeneregjetikesepse në këtë mënyrë po e pamundësojnë furnizimin me energji elektrike, sikurse po e rrezikojnë jetën e qytetarëve. Rasti i fundit i dëmtimit të rrjetit të shpërndarjes është në Distriktin e Mitrovicës, ku është prerë shtylla elektrike.

KEK, përmes një komunikate fton të gjithë qytetarët, që t’i ruajnë asetet e furnizimit me energji elektrike dhe t’i konsiderojnë ato si të vetat, sepse KEK-u është pronë e të gjithë qytetarëve dhe u shërben të gjithëve. “Hapi më i madh parandalues është identifikimi i keqbërësve, prej të cilëve po vuan e gjithë popullata në ato vende ku dëmtohen pajisjet e rrjetit.

Ju lutemi denonconi ato tek organet shtetërore të rendit”, thuhet në komunikatë. Fatkeqësisht, intervenimi i paautorizuar në rrjetit e shpërndarjes ka shkaktuar edhe viktima në njerëz.

KEK nuk mundet që të përkujdeset për asetet që u takojnë të gjithëve pa ndihmën aktive të qytetarëve. Prandaj, KEK kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos intervenojnë në asetet elektroenergjetike, ta njoftojnë dhe ftojnë për çdo rast intervenimi korporatën, sikurse ta denoncojnë çdo intervenim apo dëmtim të këtyre aseteve tek organet përgjegjëse.


KEK po ashtu njofton se si pasojë e dëmtimit nga një kompani private e kontraktuar që po kryen punime tek “Qafa” në Prishtinë ka rënë nga puna Transformatori energjetik T2 i Trafostacionit TS 110/10 kV Prishtina 3, prej orës 14:13 deri ne ora 14: 35.

Si pasojë e dëmtimit pa energji elektrike në këtë interval kohorë kanë mbetur të gjitha daljet 10 kV (kilovolt) që furnizohen nga ky transformator. Të gjitha daljet 10 kV janë kyçur sërish, përveç daljes 10 kV numër 27, e cila ishte dëmtuar direkt dhe mbetet ende në prishje.

Ky nuk është dëmtimi i vetëm. Kompanitë e kontraktuara disa herë gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar prishje të kabllove nëntokësore të tensionit të lartë. Rasti i fundit ishte dëmtimi i kabllit 35 kV nga kontraktori që po punon në një shkollë përball Kazermës “Adem Jashari”, e cila kishte lënë pa energji elektrike për disa minuta (derisa ishte aktivizuar dalja rezervë) edhe Kuvendin e Kosovës në momentin kur po mbahej seanca plenare.