LAJMI I FUNDIT:

KE jep 4 milionë euro për familjet e të kthyerve në Klinë

KE jep 4 milionë euro për familjet e të kthyerve në Klinë

Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim vazhdojnë përpjekjet e tyre të përbashkëta për kthimin e qëndrueshëm dhe reintegrimin e personave të zhvendosur brenda Kosovës. Sot kanë filluar punët rindërtuese për dymbëdhjetë shtëpi në fshatin Dollc të komunës së Klinës.

Kjartan Björnsson, shef i Operacioneve të Zyrës ndërlidhëse të KE-së pohoi: “Jemi të kënaqur që kemi qenë dëshmitarë të përkushtimit të madh dhe të pjesëmarrjes aktive të Ministrisë dhe autoriteteve përkatëse komunale në realizimin e programit të Kthimit dhe reintegrimit në Kosovë. Ky është parakusht për suksesin e procesit të kthimit, shumë-etnicitetin dhe reintegrimin e komuniteteve minoritare në Kosovë. Po ashtu kjo po kontribuon më tutje në përpjekjet e përgjithshme të decentralizimit, duke mundësuar përgjegjësitë e shtuara për komunitetet minoritare si dhe drejtimin dhe kontrollin e plotë të procesit të kthimit.”

Saša Rašić, ministër për Komunitete dhe Kthim pohoi: “Të gjithë personat e zhvendosur kanë të drejtë të kthehen dhe të kenë përkrahje në procesin e kthimit. Kjo është shtëpia juaj dhe të gjithë ne do të ju ndihmojmë që të ktheheni. Kjo është e mundur vetëm me përpjekjen e përbashkët të të gjithëve – Komisionit Evropian, Ministrisë, komunës, Këshillit Danez për Refugjatë dhe, më e rëndësishmja, familjeve që dëshirojnë të kthehen.”

Kristen Stec, përfaqësuesi i Këshillit Danez për Refugjatë në Kosovë pohoi: “Jemi të emocionuar kur shohim duke i rindërtuar shtëpitë e para për familjet që po kthehen në fshatin Dollc. Është për t’u lavdëruar vendosmëria dhe përkushtimi që autoritetet lokale në Klinë e kanë demonstruar qartazi që të jenë prijëse në procesin e kthimit, të promovojnë të drejtat e minoriteteve dhe të gjejnë zgjidhje afatgjata për familjet e zhvendosura për të garantuar një shoqëri shumë-etnike në Kosovë.”


Projekti 24 muajsh i Kthimit dhe Reintegrimit në Kosovë synon të kontribuojë për një shoqëri stabile e shumë-etnike në Kosovë e bazuar në tolerancë dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Objektivi i tij specifik është të mbështes kthimin dinjitoz e të qëndrueshëm, reintegrimin e rufugjatëve nga minoritetet e personat e zhvendosur brenda në komunat e Klinës, e Ferizajt, e Obiliqit dhe Rahovecit përmes angazhimit të shtuar të palëve të përfshira në nivelin e qeverisë dhe atë lokal. Të paktën 210 persona minoritarë të zhvendosur nga brenda dhe familje të refugjatëve pritet të kthehen dhe reintegrohen në Kosovë pas përfundimit të projektit.

Komisioni Evropian po kontribuon me € 4 milionë ndërsa Ministria për Komunitete me € 1.1 milion për këtë projekt. Projekti realizohet nga Këshilli Danez për Refugjatë.