LAJMI I FUNDIT:

KE investon 14.5 milionë euro në Mitrovicë

KE investon 14.5 milionë euro në Mitrovicë

Ekspertë të Komisionit Evropian dhe Komunës së Mitrovicës, kanë prezantuar të enjten projektet që parashihet të realizohen me fondin 14.5 milionësh të KE-së. Në këto projekte bën pjesë Qendra multifunksionale, mandej renovimi i palestrës së sportit “Minatori” si dhe Qendra e Biznesit.

Arianit Loxha, përfaqësues i ekspertëve që kanë dizajnuar këto projekte, tha se bëhet fjalë për objekte që do të arrijnë në rreth 70 mijë metra katrorë sipërfaqe. Për renovimin e palestrës “Minatori”, sqaroi se do të ruhet destinimi që ka për aktivitete sportive garuese, por që do të rinovohet në tërësi, duke përfshi të gjithë detajet.

“Qendra e Biznesit, do të jetë një qendër që do të ofroj hapësira të ndryshme biznesi që korrsopondon me rrethanat ekonomike në këtë qytet”, theksoi Loxha.

Lidhur me këto projekte, kryetari i komunës, Avni Kastrati, ka falënderuar drejtuesit e Komisionit Evropian, që kanë mundësuar nisjen e një investimi kaq të rëndësishëm për Mitrovicën. “Jemi dëshmitarë të disa prej projekteve më madhështore që do të ndërtohen në Mitrovicë, e të cilat do të krijojnë kushte më të mira për jetë për qytetarët tanë”, u shpreh Kastrati


Ndërsa, Antonio Garcia Suarez, shef i infrastrukturës në Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë, tha se këto objekte do të krijojnë hapësira shumë komode dhe të përshtatshme për të rinjtë e këtij qyteti. /Telegrafi/