LAJMI I FUNDIT:

Kapja e shtetit dhe delet e zeza

Kapja e shtetit dhe delet e zeza
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Kohëve të fundit, sërish është aktualizuar debati për kapjen e shtetit. Si fenomen shoqëror, kjo kapje është trajtuar gjerësisht në literaturën e politikës ekonomike – fillimisht nga studiuesi George E. Stigler (1971), për të vazhduar pastaj me profesorët Sam Peltzman (1976), Jean-Jacques Laffont dhe Jean Tirole (1991, 1993). Shumicën e herëve, ky fenomen lidhet me veprimtarinë e ekonomisë, me funksionimin e tregut, me mënyrën e të bërit biznes etj.

Por, çfarë në fakt kuptohet me nocionin “kapja e shtetit”?


Si nocion është përdorur veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar dhe është ndërlidhur me mënyrën se si kanë funksionuar shtetet post-komuniste – sidomos republikat ish-sovjetike. Sipas Enciklopedisë Britanike, kapja e shtetit ndodhë kur institucionet e saja nuk i shërbejnë interesit shoqëror, por grupeve të interesit, entiteteve biznesore, korporatave… sa herë që rregullat themelore të lojës në treg përcaktohen nga interesat e veçanta e jo nga interesat e përgjithshme shoqërore. Besohet se kapja e shtetit ndodhë kur institucionet themelore të saj nuk e kanë në mendje interesin e përbashkët të shoqërisë.

Por, çka janë institucionet e shtetit dhe kujt duhet t’i shërbejnë ato?

Është interesant interpretimi i Karl Popperit për shtetin dhe për institucionet e saja. Ai thotë se shteti dhe institucionet ngjajnë me levën që përdoret në inxhinierinë mekanike. Njësoj si levat, institucionet përdoren kur duam të arrijmë diçka që shkon përtej fuqisë së muskujve tanë. Ashtu si makineritë, institucionet e shumëfishojnë fuqinë tonë për të mirë e për të keq. Kur i përdorim për të mirë, ato kanë nevojë për mbikëqyrje inteligjente nga dikush që e kupton mënyrën e tyre të funksionimit dhe, mbi të gjitha, qëllimin e tyre. Madje edhe kur përdorën për të keq kërkohet inteligjencë dhe mençuri, sepse nuk mund t’i ndërtojmë ato në mënyrën që të funksionojnë automatikisht. Në të dy rastet, edhe inxhinierët mekanikë, edhe politikanët, e kanë një ide e një qëllim të caktuar në mëndje kur i ndërtojnë fabrikat dhe institucionet: prodhimin e një efekti, produkti apo shërbimi. Nëse kjo duhet të jetë kështu, atëherë çfarë produktesh apo efektesh prodhojnë institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë?

Nëse i referohemi fakteve, nuk e kemi të vështirë ta kuptojmë këtë. Mjafton t’i shohim produktet që prodhojnë institucionet e arsimit – ato të drejtësisë, të ekonomisë e të tjera. Faktet empirike (në Kosovë e në Shqipëri) thonë se nuk jemi fare mirë. Mjafton t’ju referohemi për këtë rezultateve të PISA-s për vitin 2018. Njësoj, në mos më keq, jemi në fushën e drejtësisë. Sipas Bankës Botërore që bën vlerësimin e cilësisë së qeverisjes për të gjitha shtetet, në vitin 2019, në një radhitje cilësie prej 0-100 në nivel përqindje (ku 100 është niveli më i lartë), Kosova dhe Shqipëria në fushën e funksionimit të ligjit janë radhitur në vendin 39, respektivisht 38. Edhe më keq këto dy shtete qëndrojnë në kontrollin e korrupsionit – vendi 31 dhe 33. Sa për krahasim, në BE, shteti me radhitje më të dobët është Rumania – e 64-ta në funksionim të ligjit dhe e 52-ta në korrupsion. Treguesit ekonomikë janë akoma më keq. Ta zëmë, sipas OECD-së, numri i ndërmarrjeve aktive në Kosovë nuk e kalon shifrën 40 mijë, ndërkaq sipas EUROSAT-it ky numër në Maqedoninë e Veriut është rreth 70 mijë.

Duke qenë i përditësuar me këto fakte, njeriu e kupton se përse të tjerët na shohin si dele të zeza. Ndonëse faji duhet t’i faturohet më shumë kastës së pandërgjegjshme të politikanëve, nuk jemi pa faj si shoqëri. Kur dëgjon njeriu se si çakërdisen politikanët duke premtuar rimëkëmbje, guxim, zgjidhje “profesionale” për krejt e drejt, e broçkulla të ngjashme (me levat që do t’i lëvizin prapë si të duan, nëse ne si shoqëri vazhdojmë t’i lejojmë), duhet të bërtasësh e jo të besosh kuturu. Sepse, shumica e politikanëve, te të gjitha partitë, na bëjnë me dije se janë maksimizues të interesit vetjak e jo atij shoqëror, fatkeqësisht!