LAJMI I FUNDIT:

Kabineti “Rambo 2”

Kabineti “Rambo 2”

A e dini atë fabulën për atë qenin e gjahut i cili e kishte zënë lepurin dhe po sillej çuditshëm ndaj tij? Ndoshta në këtë rast, fjala “çuditshëm” nuk është e mjaftueshme për të shprehur gjithçka që po ndodhte, por të ruhemi nga fjalët e mëdha.

Në fakt, fabula thotë se ai herë e puthte e herë e kafshonte lepurin, ndërkohë që lepuri po ankohej për këtë sjellje të tij aspak parimore.


“O më puth, o më kafsho”, po kërkonte lepuri me të drejtë.

Kjo situatë, me emocione të përziera po e sillte në konfuzion.

Por, personazhi i rrëfimit tonë më të ri, aspak nuk ngjet me një lepur edhe pse, Serbia zyrtare, ka shumë gjasë se po e huton me sjelljen e saj, herë puth e herë kafsho. Edhe opinionin publik kosovar dhe atë serb, por edhe (o)pozitën politike andej dhe këndej, kjo sjellje padyshim se po e huton dhe kjo po duket sidomos nga kritikat që po i hedhin si nëpër tym.

Kritikat ndaj mega-kabinetit “Haradinaj 2”, janë njëherë për njëherë krejtësisht të pa artikuluara. Të lëmë anash kritikat për shtim të burokracisë, e cila mund të rrëzohet me argumentimin se një qeveri që punon asnjëherë nuk është e madhe, dhe e kundërta, atëherë dyshimet që po hedhen për patriotizmin e kryeministrit të ri, për marrëveshje të dëmshme me serbët , vetëm për të ardhur në krye të qeverisë, mbeten tendenca kryesore për me e kontestua atë.

Pra, e do apo nuk e do Serbia politike Ramushin, pyeten të hutuarit nëpër rrjete sociale? Pyeten edhe mediat, e sidomos politika?

Tash, nëse faktet mund të thonë diçka kur është logjika bizantine në pyetje atëherë ja vlen me i shikua ato. Serbia zyrtare ende po e mban në fuqi, fletarrestin ndërkombëtar për të. Vetëm para pak muajsh, atij i ishin vënë prangat nga drejtësia franceze, me kërkesë të Prokurorisë serbe, dhe ai ishte shoqëruar me polici j në gjykatë ku pritej të vendosej lidhur me kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij, në Beograd. Ky është kafshimi, në kuptimin metaforik, si e filluam këtë rrëfim!

Në anën tjetër, vetëm para pak ditësh në një situatë diametralisht të kundërt, mandatari Haradinaj, i cili nuk po zgjedhej dot, pa votën e deputetëve serbë, po priste me durim kthimin e tyre nga Beogradi, ku ata kishin shkuar për të marrë aprovimin po nga të njëjtit zyrtarë, për të votuar kabinetin e tij. Pasoi, prapë në kuptimin metaforik, “puthja”!

Opozita, por edhe mediat serbe, filluan të përflasin për një marrëveshje të fshehtë dhe se heqja e çështjes së Ushtrisë së Kosovës dhe “Trepçës” nga rendi i prioriteteve të qeverisë së re, kishte qenë çmimi i kësaj marrëveshjeje.

Serbia ka qëndrim dualist ndaj kryeministrit të ri, për shkak të konfliktit të brendshëm në vet Serbinë, në mes forcave pro-evropiane dhe atyre pro-ruse. Përderisa Ekzekutivi serb ka bërë një kthesë të dukshme drejt BE dhe ka shfaqur interesim dhe angazhim të sinqertë në këtë proces, forcat konservatore dhe ato pro-ruse janë barrikaduar në pushtetin gjyqësor dhe në strukturat e sigurisë serbe, duke bërë kështu lojën e bllokimit të proceseve, kryesisht në funksion të politikës kundër evropiane. Votimi për Haradinajn, tregon se ndikimi i forcave pro-evropiane ndër serbët e Kosovës është rritur dhe se kjo korrespodon me defanzivën e forcave proruse ndër serbët, qoftë në proceset e fundit në Maqedoni, qoftë ato në Kosovë. Vetë kështu mund të kuptohet, paqëndrueshmëria “emocionale” serbe, në raport me z. Haradinaj.

Opozita gjithsesi i ka arsyet e veta të jetë e pakënaqur. Marrëveshja me serbët, është e ligjshme të dyshohet, edhe pse, koha do të sjell befasi edhe në këtë fushë, nëse politika pro-evropiane serbe në Beograd, vazhdon të fuqizohet dhe ndikimi rus vazhdon të bjerë, sikurse ndodhi me Maqedoninë dhe Malin e zi.

Qeveria “Haradinaj 2” do të ketë kundërshtarë, ndoshta më së paku ndër serbët, e më së shumti në opozitë, madje edhe në pozitë, por rreziku më i madh do të vijë pikërisht nga vrulli i vet kryeministrit i cili duke dashur të dëshmohet dhe të thyej bllokadat, me çdo kusht, ka shumë më tepër gjasa të rrëzohet nga ndërskamëcat e koalicionit qeverisës, përfshirë këtu edhe Presidencën të cilët po luftojnë për pushtet real, sesa nga vetë opozita apo Serbia.

Pra, a e duan serbët lokal, Haradinajn dhe Qeverinë e tij?

E duan me gjasë përderisa janë pjesë e saj.

Natyrisht se këtë e bëjnë për interesa dhe natyrisht se kanë kushte. Kushte kishte secila parti që u bë pjesë e koalicionit, për të përmbushur numrat. Dikush i kishte votat më të vlefshme. Përderisa Lista Serbe deklaron se do të angazhohet për interesat e serbëve të Kosovës brenda institucioneve të Kosovës, gjithçka duket nënë kontroll dhe nuk mund të shërbejë si ndonjë argument serioz kundër qeverisë së re. E vetmja pyetje serioze, e cila ja vlen të shtrohet dhe nga e cila edhe mund të ngritet një program alternativ qeverisës, është: a do të mundet Haradinaj me dinamikën e tij të thyejë mekanizmat bllokues, vendorë dhe ndërkombëtarë, dhe të rihap rrugën e integrimeve euro-atlantike?

Nga kjo aktualisht varen edhe të gjitha reformat e brendshme, për të cilat angazhohet edhe opozita, por të cilat nuk kanë kurrfarë gjasash pa u thye bllokimi institucional dhe shoqëror i imponuar nga oligarkia vendore dhe forcat anti-globaliste dhe anti-evropiane ndërkombëtare.

E dini si do të përfundojë ky rrëfim, me këtë mega-qeveri?

Mos paragjykoni, Haradinaj di të jetë luftëtar i madh, por di edhe të rrëshqasë në tepih të kuq!

Qeveria u lind, dhe neve na mbetet me përkund…!