LAJMI I FUNDIT:

Ish-pjesëtarët e TMK-së themelojnë biznese

Ish-pjesëtarët e TMK-së themelojnë biznese

Analisti për çështje të zhvillimit lokal, Ibrahim Hoxha, ka thënë për gazetën se përkrahja e UNDP-së për të krijuar biznese të vogla për ish-pjesëtarët e TMK-së, e zbut papunësinë dhe krijon vende të reja të punës.

Prishtinë, 2 dhjetor – Disa ish-pjesëtarë të TMK-së, të cilët nuk kanë pasur fatin të jenë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë filluar t’i kthehen jetës jashtë uniformës, duke hapur biznese falë Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Zyrtari i UNDP-së në Kosovë, Veton Kasapolli, i ka thënë gazetës se programet e UNDP-së, për ish-pjesëtarët e TMK-së, kanë për qëllim zbutjen e papunësisë në Kosovë.

“UNDP-ja po angazhohet që ish-pjesëtarëve të TMK-së t’u ofrojë një zgjidhje, andaj me implementimin e programit për risistemimin e tyre, është parandaluar ngritja e numrit të papunëve për 1 500 persona”, ka theksuar ai.
Kasapolli është shprehur se janë hapur biznese, të cilat falë përkrahjes nga UNDP-ja do të jenë në gjendje të punësojnë edhe persona të tjerë.


“Shuma e grandeve për themelim të afarizmit privat është 2 500 euro. Deri më tani 1 569 kandidatë janë regjistruar në programin e risistemimit, duke i përfshirë edhe minoritetet”, ka thënë ai.

Ndërsa, analisti për çështje të zhvillimit lokal, Ibrahim Hoxha, ka deklaruar për gazetën se përkrahja e UNDP-së për të krijuar biznese të vogla për ish-pjesëtarët e TMK-së, e zbut papunësinë dhe krijon vende të reja të punës.

“Bizneset e reja e rrisin fuqinë blerëse dhe rrisin përfitimin e komunave nga taksat”, ka theksuar Hoxha.

Sipas tij, duhet të zbriten normat e kamatave nga bankat që veprojnë në Kosovë për këto kategori që do të ishin sinjale të mira për të zhvilluar biznese të reja.
“Shembulli më i mirë për ne është Kroacia, e cila ka themeluar ministri të veçantë për ndërmarrje dhe biznese. Edhe Kosova duhet ta ndjekë një rrugë të tillë, që të hapë afarizëm për ndërmarrje të vogla dhe të mesme”, ka theksuar ai.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Labinot Lekaj, ka vlerësuar përkrahjen e UNDP-së për ish-pjesëtarët e TMK-së, që, sipas tij, ndikon pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Ish-pjesëtarët e TMK-së nuk do t’i bashkëngjiteshin armatës së madhe të të papunëve, andaj edhe Qeveria e Kosovës duhet të përkrahë forma të tilla për bizneset e vogla dhe të mesme”, ka potencuar ai.
Rreth 1 660 ish-pjesëtarë të TMK-së janë në proces të përfitimit të programeve të UNDP-së dhe mbi një mijë janë regjistruar për themelim të afarizmit privat.
(EPOKA E RE)