LAJMI I FUNDIT:

Interesi i Bonove arrin në 7.65%

Interesi i Bonove arrin në 7.65%

Interesat e Bonove rriten përsëri. Në ankandin e fundit, norma e ponderuar e interesit për Bonot me afat maturimi 12 mujor ishte 7.65%, nga 7.56% që ishte në ankandin paraardhës. Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 11 miliardë lekëve dhe u pranuan 33 oferta financimi, nga 41 të paraqitura gjithsej. Rritje njohu edhe interesi i Bonove me afat maturimi 3-mujor, që në ankandin e së mërkurës u emetuan me një normë interesi të ponderuar prej 5.74%, nga 5.47% që ishte në ankandin e mëparshëm.

Në ankand u emetuan Bono me vlerë 4.1 miliardë lekë dhe megjithëse 85% e shumës u financua nga Banka e Shqipërisë me ofertë jo konkurruese, interesi për pjesën e mbetur sërish njohu rritje.

Ndonëse oferta për financim të borxhit nuk mungon, interesat vazhdojnë të rriten. Kjo tendencë lidhet njëkohësisht me disa faktorë. Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë në muajin prill duket se ka pasur një efekt në tregjet financiare.

Shpenzimet e larta të qeverisë shqiptare në gjysmën e parë të vitit kanë përkeqësuar treguesit fiskalë dhe kanë rritur deficitin buxhetor. Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe situata e tendosur e borxheve publike në disa vende të Eurozonës.


Bankat që financojnë borxhin publik të Shqipërisë janë në pjesën më të madhe banka me kapital të huaj. Përkeqësimi i mjedisit financiar në Europë bën që perceptimi i rrezikut të rritet edhe në vlerësimet për çmimin e financimit të borxhit publik në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka paralajmëruar shkurtim të shpenzimeve në gjysmën e dytë të vitit, me qëllim mbajtjen e deficitit pranë kufirit 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto./Telegrafi/