LAJMI I FUNDIT:

Inkasantët vjedhin Termokosin

Inkasantët vjedhin Termokosin

Kaluan mbi dy vjet e gjysmë qëkur menaxhmenti i Termokosit denoncoi 4 inkasantët, të dyshuar për keqpërdorime qindra mijëra euro, kurse Policia thekson se hetimet ende po vazhdojnë.

“Zëri”, ka arritur të sigurojë raportin, ku policia ka kërkuar në Termokos të dhënat për tre drejtorë financiarë, tre shefat e kontabilitetit, tre mbikëqyrës të inkasimit dhe të dhënat e dy kontistave (për shkarkimin e faturave), në vazhdën e hetimeve për dysheme për keqpërdorimet e bëra që nga periudha e pasluftës e deri më vitin 2008.

Sipas këtij raporti të siguruar nga gazeta, vlera totale e dyshuar për keqpërdorim nga inkasantët arrin shumën prej mbi 426 mijë euro, shumë kjo e krijuar që nga viti 1999-2008.

Në dokumentet në fjalë, Njësiti Hetimor i Krimeve Ekonomike, kishte kërkuar informacione shtesë në procesin e hetimit edhe për kohën kur personat nga pozitat e lartpërmendura kanë qenë në punë, ku Termokos, ka ofruar gjithë informatat veprimtarisë së punës të personave zyrtarë dhe vlerën e faturave të dyshuara si të keqpërdorura gjatë asaj periudhe.


Zyrtarë të Termokos-it kanë thënë se nuk ka ndonjë informatë lidhur me procedurat e rastit në fjalë. “Në ‘Termokos”, nuk ka informata se a kanë marrë dikë në pyetje apo jo policia lidhur me rastin në fjalë”, ka thënë Faton Shatmani, menaxher i furnizimit në këtë ndërmarrje.

Sipas tij, kur ishte bërë kallëzimi penal për të dyshuarit për keqpërdorime me faturat, të dyshuarit kanë dhënë deklaratë në Polici dhe më nuk janë informuar për zhvillimet e mëtutjeshme. /Telegrafi/