LAJMI I FUNDIT:

ICO nuk kthehen parat e privatizimit

ICO nuk kthehen parat e privatizimit

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar këmbëngul se mjetet e privatizimit nuk mund të kthehen në Kosovë, derisa nuk krijohen kushtet për investimin e tyre. Zëdhënësi Andy McGuffie shpjegoi se qëndrimet e ICO-së kanë mbetur po ato që kanë qenë më parë për moskthimin e këtij fondi. Në Qeveri janë të bindur se do t’i kthejnë sa më parë, madje kanë krijuar edhe një komision për këtë punë.

Qeveria e Kosovës nuk mund të thirret në mbi 500 milionë eurot e mbledhura nga Fondi i Privatizimit edhe për një kohë të gjatë. Së paku, derisa nuk krijohen kushtet për investimin e tyre të sigurt brenda tregut kosovar.

Deri atëherë, nga Zyra Civile Ndërkombëtare (ICO) thonë se këto para nuk do të kthehen në Kosovë. Zëdhënësi i ICO-së, Andy Mac Gaffie, duke iu përgjigjur deklaratave të fundit të qeveritarëve se me kthimin e pronave të Kosovës nga ish-Jugosllavia duhet të kthehet edhe fondi i privatizimit, ka thënë se qëndrimet e ICO-së janë po ato që kanë qenë edhe më parë, shkruan Express.

Pra, paratë e privatizimit nuk kthehen pa u plotësuar kushtet.“Qëndrimet e ICO’së rreth fondeve të privatizimit mbeten po ato që kanë qenë më parë. Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka theksuar se ekzistojnë rregulla të qarta në ligj dhe në Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin për menaxhimin e këtyre mjeteve, që të sigurojnë ruajtjen e tyre”, ka thënë ai një ditë pas deklaratave të qeveritarëve se do t’i kthejnë këto mjete. Bëhet fjalë për procesin e suksesionit apo kthimit të pronave që Kosova i ka jashtë vendit.


Për këtë punë madje është krijuar edhe një komision. Por, sipas qeveritarëve, për të filluar vlerësimin dhe evidentimin e tokave jashtë Kosovës, duhet së pari që Fondi i Privatizimit të zhbllokohet, në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për kompensim me shtetet e tjera për të gjitha pronat e shitura. /Telegrafi/