LAJMI I FUNDIT:

Hiqet tarifa doganore për veshjet e gatshme

Hiqet tarifa doganore për veshjet e gatshme

Qeveria ka pranuar heqjen e tarifës doganore për veshjet e gatshme në tregun e brendshëm duke filluar nga 1 janari, çka do të thotë, ulje çmimesh për vitin 2012.

Masa, e cila do të votohet me paketën e re fiskale, por që do të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm, e bën tarifën doganore për veshjet e importuara nga vendet e Bashkimit Europian nga 10 për qind që është aktualisht në 0. Kjo do të thotë se, minimalisht, çmimet e veshjeve në tregun e brendshëm pritet të ulen me 12 për qind, duke përfshirë edhe efektin e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Për shkak të natyrës specifike që ka industria e veshjeve, shumë prej produkteve të saj paguajnë tarifë doganore dy herë, për arsye se kompanitë europiane që prodhojnë veshje i kanë linjat e prodhimit në vende të tjera jashtë BE-së, ku shfrytëzojnë koston e ulët. Për këto produkte, tarifa doganore paguhet dy herë, një herë kur hyjnë nga vendi prodhues në Bashkimin Europian dhe, më pas, kur importohen nga BE-ja drejt Shqipërisë.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave thanë se kjo ka sjelle një çmim të lartë të veshjeve të gatshme në tregun vendas, duke bërë që mjaft dyqane të shitjes me pakicë që tregtojnë veshje të mbyllen, raportoi TCH.


Sipas të dhënave zyrtare, bizneset e shitjes me pakicë të veshjeve paguajnë rreth 7 milionë euro në vit detyrime doganore në total, ku përfshihet tarifa dhe tatimi mbi vlerën e shtuar.

Në të njëtin draft, qeveria parashikon edhe heqjen e tarifës doganore për lëndët e para që importohen nga industria e modës, edhe kjo një masë lehtësuese për të stimuluar industrinë e prodhimit të veshjeve në vend. Sipas relacionit të draftit në total, efekti negative në buxhet i këtyre dy masave pritet të jetë 1.2 miliardë lekë./Telegrafi/