LAJMI I FUNDIT:

Hapet ekspozita për Nënë Terezën në Tiranë, Begaj-Osmani: Trashëgimia e saj vijon të frymëzojë në mbarë botën

Hapet ekspozita për Nënë Terezën në Tiranë, Begaj-Osmani: Trashëgimia e saj vijon të frymëzojë në mbarë botën

Në mjediset e Presidencës në Tiranë u hap sot ekspozita për nder të Nënë Terezës, në ditën e shenjtërimit të saj.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin Presidenti Bajram Begaj dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sikundër edhe shumë të ftuar, personalitete të jetës publike, përfaqësues të shoqatave të bamirësisë dhe motra të urdhërit të Nënë Terezës.


Presidenti Bajram Begaj, tha në fjalën e tij se hapja e kësaj ekspozite shërben si kujtim për ndryshimin e madh që ka bërë Nënë Tereza.

“Kjo ekspozitë shërben si një kujtim për ndryshimin e madh që një individ i vetëm mund të bëjë kur udhëhiqet nga dashuria dhe një ndjenjë e thellë mirësie. Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të margjinalizuarave, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’iu dhënë shpresë atyre në mjerim vazhdojnë të frymëzojnë brezat. Le të vazhdojmë përpara me trashëgimin e saj që përfaqëson vlerat e vetëmohimit, mirësisë dhe dashurisë në jetë”, theksoi Begaj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila ndodhet në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shqipërim tha se historia dhe trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën.

Osmani: Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra
Lexo po ashtu Osmani: Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra

“Kjo ekspozitë me dokumente arkivore nga jeta e Shën Terezës është një udhëtim nëpër paqe të historisë së saj personale, por edhe historisë së njerëzimit në përgjithësi, duke ditur faktin se ajo ishte e të gjithëve dhe për të gjithë. Përpara kemi jetën e dokumentuar të humanistes, trashëgimia e së cilës vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin. Përmes këtyre dokumenteve zbërthehet profili i Shën Terezës, thjeshtësia e fjalëve të saj, thellësia e bindjeve dhe fuqia e dashurisë së saj, po ashtu edhe rrënjët e saj shqiptare. Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra”, tha ajo.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës, është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht të vitit 1910, në Shkup. Ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse me 19 tetor të vitit 2003 u shpall e bekuar nga Vatikani. Shën Tereza ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkuta të Indisë, datë kjo që celebrohet si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë në nder të humanistes.

Ekspozita është një bashkëpunim midis tre institucioneve: Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës si dhe Institutit të Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/