LAJMI I FUNDIT:

Greqi, mbledhja e taksave përmes firmave private

Greqi, mbledhja e taksave përmes firmave private

Qeveria greke po shqyrton mundësinë e ngarkimit të privatëve me mbledhjen e taksave, në një përpjekje për të kapërcyer problemet e mekanizmit tatimor.

Sipas sugjerimeve, që i bëhen Ministrisë së Ekonomisë dhe të cilat janë shprehur përsëri në të kaluarën, propozohet që firmat kontrollore të marrin fillimisht një rol ndërmjetësues për mbledhjen e të ardhurave dhe dhënien e vërtetimeve të borxheve ndaj shtetit grek dhe të luajnë një rol aktiv, në drejtim të mbledhjes së të ardhurave.

Ministri i Ekonomisë Evangelos Venizelos tha se ekziston mundësia për të përdorur privatët në pjesën e aktivitetit mbledhës së taksave, por ndërkaq ai nuk sqaroi nëse do të bëhet fjalë për bankat, zyrat e mëdha llogaritare ose firmat e auditimit.

Ministria e Ekonomisë i ka kaluar tashmë privatëve kontrollin tatimor të kompanive anonime dhe Kompanive me Përgjegjësi të Kufizuar. Sipas dispozitës të ligjit të fundit tatimor, kontrollorët e përhershëm dhe zyrat kontrolluese detyrohen të ushtrojnë, paralelisht me kontrollin e menaxhimit ekonomik, edhe kontrollin në artikuj të taksueshëm dhe të lëshojnë certifikatë tatimore vjetore. /Telegrafi/