LAJMI I FUNDIT:

Google Nexus 5 vjen gjatë muajit maj?

Google Nexus 5 vjen gjatë muajit maj?

Edhe pse shumica e fansave të produkteve të Google dhe sistemit te saj operativ, Android ende nuk e kanë pasur rastin ta kenë një model të telefonit të mençur, Nexus 4, partnerët të cilët e prodhuan këtë model të telefonit, Google dhe LG thuhet se janë duke u bërë gati të lansojnë edhe gjeneratën e re të linjës Nexus, përkatësisht versionin e ri, Google Nexus 5.

Sipas faqes koreane, Ruliweb, thuhet se Google dhe LG tashmë janë përcaktuar për krijimin e gjeneratës së re të telefonit, Nexus 5, për të cilin thonë se do të jetë në krye të kategorisë së telefonave të avancuar në Android.

Burimet e njëjta të informacionit thonë se pajisja do të vijë me ekran të ndjeshëm në prekje me diagonale prej 5 inç në teknologjinë Full HD, 2GB RAM, procesor quad-core Tegra 4, 8GB ose 16GB memorie të brendshme, kamerë të pasme me 13MP, si dhe versionin e ri të Android, Key Lime Pie.

Përveç Nexus 5, Google do të ofrojë edhe tabletin Nexus 7.7, i cili thuhet se do të vijë me processor Tegra 4, ekran me diagonale prej 7.7 inç, 8GB memorie të brendshme, si dhe rezolucion prej 1920 x 1200 piksel.


Burimet e mediumit Korean thonë se Nexus 5 dhe Nexus 7.7 do të prezantohen në treg gjatë muajit maj, në konferencën e famshme të Google, të njohur si Google I/O. / Telegrafi /