LAJMI I FUNDIT:

Goditën tregtarët e vegjël

Goditën tregtarët e vegjël

Përveç qytetarëve, tregtarët e vegjël e kanë pësuar më së keqi nga rritje e çmimeve. Shumë nga ta kanë mbetur pa blerës dhe u ka rënë fitimi deri në 10 për qind. Si pasojë, po lëshojnë “veresi” me të madhe. Thonë se kjo po ndodh nga fakti se ka rënë fuqia blerëse.

Rritja e çmimeve nuk i ka dëmtuar vetëm qytetarët dhe blerësit e zakonshëm. Hiç më mirë këtë “uragan” çmimesh nuk po e kalojnë as tregtarët e vegjël, që në Kosovë përbëjnë 95 për qind të bizneseve.

Shaip Gashi, pronar i shitores “Erëza”, thotë se prej rritjes se çmimeve ka rënë interesimi i blerësve, e me këtë edhe fitimi, raporton Express.

“Diku për 10 për qind më ka rënë fitimi. Kisha dashur që çmimet të kthehen siç kanë qenë”, thotë ai. Ai mohon se veç faktorëve të jashtëm, ka ndikuar edhe ndonjë faktor i brendshëm në rritjen e çmimeve.


Rënia e fuqisë blerëse po i detyron qytetarët që “shpëtimin” ta kërkojnë te qendrat e mëdha tregtare, për të gjetur produktet me çmime më të lira. Dhe më së keqi nga kjo po e pësojnë shitoret dhe dyqanet e vogla.

Pronarët e tyre thonë se edhe ata pak qytetarë që vijnë, shumica marrin “veresi”.
Kjo situatë, për Shaip Gashin, po vazhdon që nga janari i këtij viti. Saktësisht prej kohës kur u rritën çmimet.

Gashi thotë se nuk është e thënë që sa herë të rriten çmimet, të përfitojnë tregtarët. Posaçërisht për ata të vegjlit që nuk punësojnë mbi 4 persona. /Telegrafi/