LAJMI I FUNDIT:

Goditen prodhuesit

Goditen prodhuesit

Ngritja e kostos së prodhimit ka goditur rëndë prodhuesit vendorë. Rritja prej 1.5 për qind e çmimeve të lëndës së parë është reflektuar nga lëvizjet e çmimit të karburanteve, që kanë shënuar rritje të dukshme gjatë vitit të kaluar. Si rezultat i kësaj, në tregun kosovar nuk ka stabilitet në çmimet e prodhimeve nevojtare. Kjo e ka vështirësuar edhe më shumë jetën e qytetarëve kosovarë, të cilët vazhdojnë të luftojnë me papunësinë dhe varfërinë e madhe.

Të dhënat e Entit të Statistikave të Kosovës tregojnë se indeksi i çmimeve të prodhimit në Kosovë është ngritur për 1.5 për qind në vitin e kaluar në krahasim me vitin 2009. Sipas ESK-së, ngritje më të mëdha, sipas degëve të veprimtarive ekonomike, ishte te prodhimi i makinave dhe pajisjeve prej 26.6 për qind, prodhimi i metaleve 6.1 për qind, punimi me dru dhe fabrikimi i artikujve prej druri 5.9 për qind, industria e produkteve ushqimore dhe e pijeve 5.7 për qind dhe industri të tjera nxjerrëse prej 1.6 për qind, raporton Express.

“Indeksi i çmimeve të prodhimit në Kosovë u ngrit për 1.3 për qind në mes të tremujorit të dytë dhe të tretë në vitin 2010. Krahasuar me vitin 2009, çmimet e prodhimit u ngritën në një mesatare për 1.5 për qind”, thuhet në këto të dhëna.

Prodhuesi i lëngjeve natyrale, Bashkim Osmani, thotë se rritja e çmimit të lëndëve të para i ka sjellë shumë probleme kompanisë së tij. “Në tregun botëror është shënuar rritje e çmimit të sheqerit për 50 për qind, i cili është produkti ynë kryesor në prodhimin e lëngjeve. Pastaj kanë ndikuar edhe derivatet e naftës dhe të gjitha këto po sjellin jo stabilitet të çmimeve në treg”, thotë Osmani .


Në anën tjetër, njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se prodhuesit vendorë duhet të kenë lehtësira më të mëdha doganore në importin e lëndës së parë. /Telegrafi/