LAJMI I FUNDIT:

Gjykimi për masakrën e Izbicës, dëshmitarja thotë të akuzuarin Alidemaj e ka parë në oborrin e saj së bashku me forcat serbe

Gjykimi për masakrën e Izbicës, dëshmitarja thotë të akuzuarin Alidemaj e ka parë në oborrin e saj së bashku me forcat serbe

 Dëshmitarja Xhemile Osmani ka thënë se akuzuarin Muhamet Alidemaj nuk e ka njohur deri ditën kur i njëjti ka hyrë në oborrin e saj së bashku me forcat serbe. Ajo këtë deklaratë e bëri të premten, në gjykimin ku ky i fundit akuzohet për pjesëmarrje në Masakrën e Izbicës, në të cilën masakër u vranë 130 civilë shqiptarë.

“Kurrë se kom njoftë deri qat ditë që na ka hi në oborr”, deklaroi dëshmitarja Osmani.


E njëjta, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Ilir Morina, ka thënë se më 28 mars të vitit 1998, i akuzuari së bashku me një person tjetër ka hyrë në oborrin e shtëpisë së saj.

“Ka ardhur Muhameti vet i dyti, me një person tjetër, ka hyrë në oborr të shtëpisë. Ne shtëpinë tonë e kemi në rrafsh dhe afër e kemi arën që është te nalt, ka hyrë në oborr dhe u kthy në anën e djathtë, ishim tu punu me vjehrrin, por kur kanë hyrë këta dy persona në oborr ne kemi qenë ulur, vjehrri ka fillu me qa se u friku se i pa që vishin prej të gjitha anëve policia serbe, i kemi pa edhe tenket”, ka rrëfyer ajo, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitarja Osmani gjatë dëshmisë së saj, ndër të tjera tha se, një grup i forcave serbe ka hyrë në oborrin e saj, ndërsa grupi tjetër në livadhin përball shtëpisë.

“Ka ardhë një grumbull i madh forcash nga drejtimi i shkollës dhe nga ana e majtë, grupi që ka ardhë nga drejtimi i shkollës kanë hyrë në oborr, ndërsa grupi nga ana e majtë nuk kanë hyrë por kanë shku te popullata në livadh”, tha ajo.

Tutje, ajo ka shtuar se forcat serbe kanë kontrolluar edhe shtëpinë e saj duke e shtyrë përpara të njëjtën me grykë të pushkës, ku ndër të tjera tha se i akuzuari Alidemaj e ka goditur.

“Kur dulëm në korridor të shtëpisë unë dashta me dal jashtë me shku në oborr, ai më tha në gjuhën serbe por unë nuk e kuptova por me gryk të pushkës më dha shej me shku shkallëve të shtëpisë edhe unë nuk kom guxu se katër vetë ishin me mua kurse të tjerët thejshin nëpër dhoma, unë jam pshtetur për derë të hyrjes së shtëpisë, ky ma ka dhanë një shuplak shumë të fortë që mu ka duk që krejt zhishka kom qit prej syve”, tha dëshmitarja Osmani

Më pas, e njëjta ka thënë se kur ka shkuar në livadh te pjesa tjetër, forcat serbe kanë ndarë burrat nga gratë dhe kanë ecur në një rresht si dhe kur kanë mbërritur në një vend të quajtur Muhshin të njëjtit kanë vrarë një 94 vjeçare.

“Kemi ec rrugës edhe kur jemi nal poshtë shkollës, i thojna “Muhshin Mahall”, aty e kanë vra një plakë të Izbicës të cilën e kam njoft edhe i ka pas 94 vjetë, e ka pas emrin R.O.”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, e njëjta kë thënë se forcat serbe kanë vrarë edhe dy vajza shqiptare.

“Kur kemi dal në Kopiliq kanë gjujt prej lisave, ajo që na gjujti ishte e vendosur mi tokë, e pash edhe atë njerin që na gjujke neve në asfallt, ata na kanë thanë me shku për Albani, se nuk thojshin për Shqipni po Albani, veq thojshin hiqnu prej ktuhit mos t’iu shohim, tu gjujt ata i kanë vra dy qika të Izbicës”, tha dëshmitarja Osmani.

Ajo gjithashtu ka thënë se kanë dashur të kthehen në Izbicë mirëpo forcat serbe nuk i kanë lejuar.

Ndryshe gjatë seancës, mbrojtësi i të akuzuari Alidemaj, avokati Dean Vasiq ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me përkthimin në këtë proces gjyqësor.

“Për këtë çështje penalo-juridike neve na është cunguar përdorimi i gjuhës tonë, e drejta e përdorimit të gjuhës tonë e tani kjo po ndodh edhe në shqyrtim. Ajo që vetëm kërkoj që gjykata të ma siguroj dhe të mbrojturit tim që t’i kemi disa përgjigje të shkurtra të cilat menjëherë shkruhen në procesverbal dhe pastaj të na përkthehen”, ka thënë i njëjti.

Në lidhje më këtë, prokurori Morina ka kërkuar nga trupi gjykues që mos ta lejoj avokatin që ta zvarris procedurën, duke shtuar ndër të tjera se e drejta në përkthim, si parim i lejohet të pandehurit.

“Avokati e di shumë mirë sepse ka pranu vendimet e gjykatës së shkallës së dytë sa i përket pretendimeve të tij lidhur me mohimin e të drejtës në përkthim. Unë dua t’ia kujtoj avokatit se e drejta në përkthim si parim si në Konventën Evropiane, si në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si në Kodin e Procedurës Penale I njihet të pandehurit e jo avokatit”, ka thënë ndër të tjera Morina

Për shkak të temperaturave të ulëta në Pallatin e Drejtësisë seanca u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua më 14 shkurt të këtij.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Sipas aktakuzës, Alidemaj më 28 mars 1999 në fshati Izbicë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e popullsisë civile, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit në vendin e quajtur “Malet e Stejevcit”, në kodrën e rrugës Kërrninë – Belicë, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe në të cilën bënin pjesë edhe Ivo Obradovic, Stanoje Shkerkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiç, Sava Shkerkiq, Ranko Shkerkiq, Bogoljub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth, me dhunë i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, burrat e mbetur thuhet se i ndajnë në tri grupe, duke i dërguar secilin grup në një vend të caktuar dhe i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, emrat e të cilëve janë paraqitur në shtojcën 1 të kësaj aktakuze, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, emrat e të cilëve gjenden në shtojcën 2 të kësaj aktakuze, ashtu që trupat e cilëve të vrarë pas 2-3 dite ishin varrosur nga fshatarët.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se përafërsisht pas dy muajve të vitit 1999, i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, u kthyen sërish në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur, ndërsa pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Më tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosje, grabitje dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Izbicë dhe fshatrave përreth, ashtu që fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre duke i kërcënuar ata me armë dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit.

Me ç‘rast, i akuzuari Alidemaj thuhet se së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e thirrën të dëmtuarën Xhemile Osmanaj që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar, fillimisht nën kërcënimin e armës ia morën 1 mijë marka gjermane, pastaj nën tytën e armës në shpinë, e detyruan që t’iu prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Më pastaj, aktakuza thotë se i pandehuri Muhamet Alidemaj e goditi me shuplakë në fytyrë tek dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë tek turma e civilëve të grumbulluar në livadh, kurse civilëve të tjerë iu konfiskuan të gjitha sendet e tyre personale me vlerë, i rrahën rëndë disa nga meshkujt, i detyruan me dhunë gratë dhe fëmijët të largoheshin në drejtim të Klinës, duke iu thënë të shkojnë në Shqipëri, si dhe nën kërcënimin e armëve ua grabitën çdo gjë me vlerë monetare dhe në fund i shkatërruan dhe i dogjën shtëpitë e fshatit Izbicë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në trend Lajme

Më shumë
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Pezulloi detyrat publike për shkak të akuzave ndaj bashkëshortes, Rama i del në krah kryeministrit spanjoll

Lajme

"Vuçiq e mendonte Slloveninë Eldorado serbe, kurse diplomatët e saj vegla të tij", ish-diplomatë serbë flasin për skandalin e fundit të Vuçiqit

Lajme
“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

“Veç me ia ba një vendbanim në gjykatë”, ish-zyrtari i Komunës së Prishtinës del para gjykatës me 24 aktakuza për korrupsion

Drejtësi
Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Për herë të parë sot mbahet seanca në objektin e Komunës së Zubin Potokut

Lajme
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kalo në kategori