LAJMI I FUNDIT:

Gjykata Supreme: Prerja e drunjëve në park të mbrojtur me qëllim të shitjes është vepër penale pavarësisht sasisë së drunjëve të prerë

Gjykata Supreme: Prerja e drunjëve në park të mbrojtur me qëllim të shitjes është vepër penale pavarësisht sasisë së drunjëve të prerë
Foto: Arkiv

Gjykata Supreme e Kosovës ka interpretuar se vepra penale e vjedhjes së pyllit e cila bëhet në Parkun e Mbrojtur, me qëllim të shitjes, është vepër penale pavarësisht sasisë së drunjëve të prera.

Një vendim të tillë e ka marr një kolegj i Supremes në përbërje nga gjyqtarët, Mejreme Memaj, Nesrin Lushta dhe Rasim Rasimi më 22 prill 2021 duke vendosur në rastin e të akuzuarit Alban Lajqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Lajqi akuzohej se kishte prerë 1.20 metra kub drunjë në Parkun Kombëtar “Bjekshkët e Nemuna”.

Për këtë vepër penale, ai ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me 300 euro gjobë dhe dënim me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajsh në afat verifikimi prej 1 viti.

Në procedurën ankimore të këtij aktgjykimi, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar aktgjykimin fajësues të Gjykatës së Pejës dhe të pandehurin e kishte liruar nga aktakuza.

Apeli kishte konkluduar se veprimet e të akuzuarit, nuk paraqesin vepër penale për faktin se nuk ekziston vepra penale e vjedhjes së pyllit në parkun e mbrojtur, nëse sasia e drunjëve të prerë nuk kalon 2 metra kub, siç përcaktohet me paragrafin 1 të nenit 349 të KPK-së.

Sipas Apelit, pa ekzistimin e veprës bazë e cila kërkon që sasia e drunjëve të prera të kalojë 2 metra kub, nuk mund të ekzistojë forma e cilësuar e kësaj vepre penale.

Duke vendosur sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë së Prokurorit të Shtetit, Gjykata Supreme ka vlerësuar se Apeli kishte shkelur ligjin penal në favor të pandehurit Lajqi, kur këtë të fundit e kishte liruar nga aktakuza për vjedhje të pyllit.

Supremja nuk e ka pranuar interpretimin juridik të Apelit për ekzistencën e veprës penale të vjedhjes së pyllit të kryer në parkun e mbrojtur.

Sipas Supremes, në rastin konkret ekziston vepra penale e vjedhjes së pyllit në parkun e mbrojtur, pavarësisht sa është sasia e drunjëve të prerë.

“Edhe sipas konstatimit të Gjykatës Supreme, në nenin 349 par.3 pika 2 të KPK qartazi parashihet se sasia e drunjtëve të prerë nuk ka rëndësi, që do të thotë se edhe nëse është nën sasinë prej 2 m3, siç kërkohet në paragrafin 1 të këtij neni, prapë se prapë përmbushen elementet e veprës penale vjedhje e pyllit nga neni 349 par.3 të KPK”, thuhet në vendimin e Supremes.

Sipas Supremes, në rastin e të akuzuarit Lajqi ishin plotësuar të gjitha elementet për ekzistimin e veprës penale.

“Në favor të kësaj është edhe formulimi i paragrafit 3 në të cilin thuhet “nëse vepra penale nga ky nen kryhet…” e jo “nëse vepra penale nga paragrafi 1 i këtij neni” që tregon se vepra bazë, gjegjësisht sasia e cekur në te, nuk është determinuese dhe e parasheh si vepër penale cilëndo vëllim të druve me kusht që është kryer në pyllin e mbrojtur, në parkun e mbrojtur ose në pyllin tjetër me destinim të posaçëm dhe me qëllim të shitjes, e të gjitha këto elemente në rastin konkret janë plotësuar”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.”, thekson Gjykata Supreme.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 18 maj 2020, e ngarkonte të Alban Lajqi se më 26 prill 2020, rreth orës 11:18, në parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, me qëllim të vjedhjes pret trungun e llojit breu në sasi 1.20 metra kub.

Sipas aktakuzës, Lajqi pa leje përkatëse për prerjen e drunjëve dhe transportin e tyre, duke përdorur sharrën motorike pret sasinë e drunjëve të lartëcekur, ku më pas ndalohet nga zyrtarët policor në bashkëpunim me zyrtarët e DAPK-së, të cilët konstatojnë sasinë drunore në vëllim prej 1.20 kub dru.

Me këtë veprim, Lajqi akuzohet se ka kryer veprën penale të “Vjedhje e Pyllit”, nga neni 349 par.1 lidhur me par.3 nënpar.3.1 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi/Telegrafi/