LAJMI I FUNDIT:

Gjuha shqipe duhet të mbrohet me ligj!

Gjuha shqipe duhet të mbrohet me ligj!

Nga: Begzad Baliu

Gjuha shqipe është gjuhë historike, ndërsa populli shqiptar është popull historik dhe e drejta e tij për hapësirë gjeografike europiane, identitet kombëtar dhe të barabartë me vendet fqinje e me popuj të mëdhenj të Europës, i detyrohet para se gjithash gjuhës shqipe si dhe mundësisë së saj që të funksionojë si një standard i vetëm.


Prandaj, gjuha shqipe duhet të mbrohet edhe me ligj!

Gjuha shqipe dhe korpusi i fjalësit të saj, ashtu si edhe atdheu ynë, kufijtë e tij, qytetarët dhe institucionet, janë vlerat më domethënëse që historikisht ka trashëguar populli shqiptar. Prandaj, përdorimi i saj, sa më pak i cenueshëm nga gjuhët dhe fjalët e huaja, është detyrë jona dhe obligim për ta bartur atë te trashëgimtarët tanë.

Ajo, si dhe atdheu, kufijtë e tij, duhet mbrojtur me ligj!

Me gjuhën standarde shqipe, populli shqiptar kudo dhe kurdo sot përshkruan të drejtat dhe obligimet e tij qytetare, kushtetuese dhe ligjore ndaj pasurisë materiale që e rrethon dhe ndaj pasurisë shpirtërore me të cilën mbahet përballë të tjerëve.

Prandaj, përdorimi i standardit në institucionet shtetërore dhe kombëtare duhet mbrojtur me ligj!

Gjuha shqipe është përbërësi më i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kombëtare, e trashëgimia jonë është e mbrojtur me ligj.

Prandaj, edhe gjuha duhet të mbrohet me ligj!