LAJMI I FUNDIT:

Gjermani, shënon rënie shitjet e pakicës

Gjermani, shënon rënie shitjet e pakicës

Shitjet me pakicë në Gjermani regjistruan rënie në muajin mars, duke surprizuar pritshmërinë për një rritje të shitjeve. Sipas të dhënave zyrtare gjermanët blenë më pak ushqime dhe tekstile në një kohë kur inflacioni u rrit më shumë se kufiri i 2 për qind.

Të dhënat e publikuara nga zyra federale e statistikës treguan se shitjet e pakicës të përllogaritura me inflacionin ranë me 2.1 për qind në normë mujore dhe me 3.5 për qind në normë vjetore. Për të gjithë tremujorin e parë të këtij viti shitjet e pakicës regjistruan rritje me 0.2 për qind.

Llogaritja e shitjeve të pakicës në Gjermani përjashton produkte të shërbimeve si biletat e kinemave, dhe në këtë formë ato përfaqësojnë më pak se një të tretën e ekonomisë së parë të Europës.

Edhe shitjet e automjeteve dhe shitjet në pikat e karburantit nuk përllogariten në këtë statistikë. Ndërkohë të dhënat përgjithësisht janë subjekt i ndryshimit pasi të përllogariten të dhënat e 27 mijë shitësve të pakicës dhe shpërndarësve të veturave për tu përfshirë më vonë në të dhënat kombëtare. /Telegrafi/