LAJMI I FUNDIT:

Gjarpri i shtëpisë dhe kufiri shqiptar

Gjarpri i shtëpisë dhe kufiri shqiptar

Corrotica është një fshat që gjendet në mes Bujanocit dhe Preshevës. Është vështirë të dihet se cili nga këto dy qytete është më afër pasi që fshati gjeografikisht duket se qëndron mu në mes tyre. Dikur fshati shtrihej në një kodër që nga larg dukej si një pikturë e bukur e punuar me përkushtim nga ndonjë artist i rrallë. Mu rrëzë kodrës shtëpitë nënvizoheshin nga rruga që lidh këtë fshat me fshatrat përreth që gjenden rrëzë një vargu kodrash pas të cilave fillojnë Malet e Karadakut. Nën rrugë fillonte fusha e gjerë dhe pak më tej kalonte hekurudha, e cila ishte edhe kufiri i poshtëm i fshatit pasi që nën të nuk kishte shtëpi.

Fusha vazhdon të zgjerohet matanë hekurudhës dhe shtrihet disa kilometra larg dhe përfundon te disa kodra të vogla mbi të cilat në mëngjes del dielli. Mu në mes të fushës shtrihet autostrada, e cila nga larg duket si një segment i zi i tërhequr me tush dhe vizore. Fusha vjen nga veriu, matanë Bujanocit, dhe shkon në drejtim të jugut ku vazhdon të rritet duke u takuar në horizont me qiellin. Duket sikur që nuk përfundon kurrë, edhe pse dihet që pjesa e saj e djathtë ndalet në Shkup, kurse e majta vazhdon për të përfunduar në Selanik. Dekada më vonë kjo fushë më shumë u bë e njohur me emrin Lugina e Preshevës.


Si fëmijë, në fund të viteve të gjashtëdhjeta, shkoja shpesh në këtë fshat, pasi që aty kishim disa kushërinj. Kodra mbi të cilën gjendej fshati ishte e madhe dhe përfundonte me një rrumbullak të madh në maje. Atje lart, pak nën mesin e kodrës, gjendej një shtëpi e madhe e cila dukej si të ishte roje e shtëpive të tjera të fshatit. Mbi shtëpi vazhdonte pjesa tjetër e pjerrët e kodrës e cila, çuditërisht, në sipërfaqen e saj më të madhe ishte e zhveshur. Nuk e kuptoja pse aty nuk kishte drunj ose pyll si në fshatrat e tjera.

Megjithatë, kjo shtëpi ishte e veçantë. Dukej se ishte më e vjetra dhe ndoshta edhe më e madhja në fshat. Ishte dykatëshe dhe e ndërtuar nga gurët që kishin një ngjyrë pak më të çelur se ajo e kafesë. Në gurët e murit shiheshin shtresat vija-vija, që mua nga larg më dukeshin se përngjanin në flegrat e copave të bakllavasë. Me logjikën time të fëmijërisë, këtë shtëpi e krahasoja me trupin e një gjiganti, kulmi i së cilës ishte një kapelë e kuqe, nën të cilën, në vend të syve, qëndronin dritaret. Në një distancë të disa dhjetëra metrave rreth saj nuk kishte shtëpi tjera. Mua më dukej se ajo nuk i duronte afër shtëpitë e vogla që shiheshin nën të. Kjo ishte shtëpia e kushërinjve të mi.

Ky fshat ka mbetur në kujtesën time të përhershme për shumë arsye. Aty për herë të parë e kam vrojtuar trenin nga afër. Në mes të arave, përreth hekurudhës, ekzistonte një ndërtesë e vogël që shërbente si stacion i trenit para së cilës rrallë dilte një njeri me uniformë dhe me një “stop” në dorë kur vinte treni. Këtu ndalej vetëm një tren, dy ose tri herë në ditë, që vinte nga dy drejtimet.

Para se te vinte treni dëgjohej një dridhje e lehtë e tokës dhe një ushtimë e hollë që e lëshonin binarët. Ushtimë dhe dridhje më të madhe krijonte një tren transporti, i cili kishte aq shumë vagonë, saqë më dukej se ishte pa fund. Nga larg pritja ardhjen e tij. Ai së pari dëgjohej dhe pastaj edhe shihej. Më dukej se vinte duke dalë nga toka si një përbindësh i gjatë dhe shumë i rëndë, që ofrohej me mërzi duke e mbyllur në prapavijë horizontin e qiellit me tymin e zi që e lëshonte pa kursim. Në këto raste unë vendosja disa gurë të vegjël mbi të dy binarët për të parë se si do t’i shtypte ai me rrotat e tija të hekurta. Mendoja se me peshën e tij të rëndë do t’i bënte gurët pluhur. Por, asnjë herë nuk më binte ta vërtetoja peshën e tij me këtë lloj eksperimenti që përgatisja. Treni kalonte dhe nuk linte asnjë shenjë në binarë. Nuk e kisha të qartë se ç’ndodhte me gurët. Nganjëherë më shkonte mendja që në binarë duhej të vendosja gurë të mëdhenj. Por, hiqja dorë nga ky mendim i mbrapshtë, duke u frikësuar se do ta rrokullisja trenin sikur partizanët që ua bënin gjermanëve në filmat që i shihnim kur shkonim në kinema me shkollën dhe me ç’rast ngriheshim në këmbë duke aplauduar dhe brohoritur për suksesin e partizanëve tanë trima!

Shumica e trenave vinin me shpejtësi të madhe, duke u lajmëruar që herët me një sirenë të thekshme. Këtyre trenave duhej qëndruar larg se mund të përlanin nën rrotë ose të përplasnin anash nga rrymimi që krijohej nga shpejtësia e madhe.

Një tren tjetër, kur i afrohej stacionit, e ngadalësonte shpejtësinë, që mund ta matej edhe me një vrap të lehtë të njeriut. Në këtë rast krijohej një pamje e çuditshme. Njerëzit rrinin varg përskaj binarëve dhe nxitonin të hipnin në të. Ata që ishin në tren kërcenin nga shkallët në një pjesë të shtruar me zhavorr. Sa ecte treni, këta që ishin në tokë, vraponin pas tij dhe ngjiteshin në të. Po në këtë mënyrë disa i ngarkonin edhe prodhimet bujqësore që i çonin në treg. Njëri hipte te shkallët dhe mbahej me një dorë për një vegë të metaltë që varej anash derës, kurse me dorën tjetër merrte çantën, valixhen ose ndonjë arkë dhe e fuste brenda në korridor. Pastaj hynte brenda edhe njeriu tjetër dhe e mbyllte derën.

Nga larg kjo pamje ngjante në situatat kur kaubojtë në filmat vestern i ngjiten trenit për ta plaçkitur ose për ta vrarë dikë që për ndonjë arsye nuk u pëlqente. Në realitet situata në këtë stacion ishte tërësisht ndryshe dhe këta njerëz ishin tejet paqësorë. Në kujtesën time njerëzit e këtij fshati kanë mbetur si njerëzit më të urtë, më punëtorë dhe më ta dashur që mund të takojë njeriu në jetë.

Fusha ishte tokë pjellore e cila punohej me zell nga fshatarët. Pos të lashtave të zakonshme, ky fshat, si edhe shumë fshatra të asaj ane, ishin të njohura për kultivimin e duhanit. Nga kjo punë e vështirë shumica e familjeve e siguronin ekzistencën. Në vjeshtën e vonë, pasi mblidhej bereqeti, fusha, sidomos një pjesë ku gjendeshin livadhet, vërshohej nga shirat. Në pasditet e vjeshtës, kur mungonte dielli, kjo pjesë nga kodra dukej si një liqe i rrethuar me një gjelbërim të dobësuar nga bryma. Kur vinte dimri me acarin e vet, e ngrinte dhe krijonte një shtresë të akullit që shkëlqente dhe mbi të cilin ne fëmijët rrëshqitnim. Ky ishte vendi jonë për patinazh. Me skitë, që i prodhonim vetë, aty rrëshqitnim tërë ditën.

Mbrëmja na detyronte të largoheshim nga kënaqësitë e patinazhit. Ktheheshim në drejtim të fshatit, nga ku dukej shtëpia e kushërinjve të mi në kodër. Pasi që lodheshim shumë, rruga deri atje ishte e gjatë dhe kishte një pjerrtësi të mundimshme. Por, kur hyja në këtë shtëpi, gjeja një rehati dhe kënaqësi të madhe. Kushërinjtë e mi ishin njerëzit më të mirë që mund të ekzistojnë në këtë botë. Njeriu më i dashur për mua ishte axha Dan, kryefamiljari i shtëpisë. Ai ishte një njeri i gjatë, i formuar mirë fizikisht dhe i pashëm. Ushtronte autoritet të pakontestueshëm në familje, edhe pse në shumicën e rasteve ishte i butë nga natyra. Ishte njeri i drejtë dhe urdhrave të tij u bindeshin të gjithë pa ndonjë kundërshtim. Babai im ishte shumë i lidhur me këtë familje. Gjyshi im ishte një nga arsyet që babai im tregonte respekt për axhën Dan.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore fshati Corroticë ka qenë vija e mbrojtjes së kufirit lindor të tokave shqiptare në pjesën e Kosovës. Nga viti 1943 deri në fund të vitit 1944 vija e hekurudhës Bujanoc-Preshevë ka qenë vija e frontit të luftës dhe kufiri i Shqipërisë me Serbinë. Shumë vullnetarë nga Kosova e kanë mbrojtur këtë kufi pa ndonjë hamendje. Shumë prej tyre janë vrarë nga forcat serbe, të maskuara herë nën petkun çetnik e herë në atë partizan e komunist. Në mesin e tyre, në këtë luftë, është vrarë edhe gjyshi im.

Në fillim të këtij shekulli kjo luftë u përsërit edhe një herë. Kësaj radhe ajo krijoi jehonë të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare, por pati efekte dhe rezultate më të zbehura se ajo e mëparshmja. Luftëtarët e UÇPMB-së nuk arritën të zbrisnin nga malet e t’i afroheshin hekurudhës, ku gjyshërit e tyre para gjysmë shekulli e patën vendosur kufirin.

Në vjeshtën e vitit 1944 forcat vullnetare shqiptare, të stacionuara jo larg pjesës së hekurudhës së fshatit Corroticë, kishin ndërmarrë një kundërsulm ndaj atyre serbe. Një njësi e vogël e luftëtarëve shqiptarë, në krye me gjyshin tim, i kishin ndjekur serbët, të cilit kishin ikur në drejtim të fshatit Bilaq. Duke sulmuar, gjyshi im ishte plagosur dhe kishte mbetur prapa, pasi që nuk kishte qenë në gjendje të tërhiqej me tjerët. Më vonë, një njësi e përbërë nga shokët e tij, ishin kthyer dhe pas një luftimi, sërish të rreptë, e kishin tërhequr gjyshin tim, të plagosur rëndë. Para vdekjes e kishin dërguar te shtëpia në kodër, pasi që e dinin se ai aty i kishte kushërinjtë. Atë natë vjeshte gjyshi im kishte dhënë shpirt në krah të axhës Dan. Të nesërmen ai e kishte dërguar kufomën në fshatin, që gjendej disa orë larg, ku gjyshja ime dhe të tjerët po e prisnin me lot në sy.

E kisha dëgjuar disa herë tregimin e rënies heroike të gjyshit tim në mbrojtje të kufirit të atdheut, i cili atëherë përfundonte në hekurudhë dhe deri aty ky shtriheshin tokat e fshatit Corroticë dhe fshatrave të tjera në vijën Bujanoc-Preshevë. Kur axha Dan, me lot në sy, tregonte detajet e aksionit, që kishin rezultuar në rënien e gjyshit tim, qanin të gjithë. Qaja edhe unë. Unë nuk e njihja gjyshin tim pasi që kisha lindur gati dy dekada pas vdekjes së tij, por e ndjeja veten të lidhur me të dhe e mbaja emrin e tij.

Kjo ishte shtëpia që kishte domethënie të madhe për mua. Me përjashtim të momentit të tregimit për gjyshin tim, pjesa tjetër e kësaj shtëpie dhe njerëzit e saj ishin kënaqësia më e madhe për mua. Kështu ishte deri në momentin kur përjetova një tmerr të papërshkrueshëm në këtë shtëpi.

Gjatë një dite vere, së bashku me fëmijët dhe të rinjtë e shtëpisë, ishim ulur në shkamë rreth tërvesës për të ngrëne drekë në dhomën e oxhakut. Në këto dhoma atëherë dyshemetë ishin të pashtruara dhe muret e palyera. Si zakonisht edhe koha e ngrënies në këtë shtëpi ishte e hareshme dhe me ushqim të begatshëm. Në një moment u krijua një qetësi, të cilën e prishnin herë pas herë tingujt e lugëve kur preknin pjatat për t’u mbushur ose kur lëshoheshin në sipërfaqen e tërvesës për ndonjë pushim të shkurtër. Në një çast më shkuan sytë në anën e murit të oxhakut, ku vërejta se diçka po lëvizte në një vrimë, ku gurët nuk puqeshin mirë. Gradualisht, nga aty filloi të dalë një gjarpër që lëshohej murit teposhtë, koka e të cilit preku tokën ende pa i dalë bishti nga vrima. Në fillim nuk munda të besoj se ishte gjarpër. Si kishte mundësi të kishte gjarpër në shtëpi? Kur gjarpri filloi të zvarritej në drejtim tonin, mbeta pa frymë dhe me siguri do të kisha bërtitur nga tmerri sikur në fyt të mos më kishte mbetur kafshata e bukës mrume, që mundohesha ta gëlltisja duke e zgjatur qafen. Pastaj gjarpri theu drejtimin dhe u nis kah muri ku gjendej dera e dhomës.

Gjendjen time së shpejti e vërejtën të gjithë dhe, pasi e shikuan edhe gjarprin, filluan të qeshnin prajshëm. Kjo ishte një situatë e rëndë për mua dhe nuk e kisha të qartë qëndrimin e tyre gazmor. Trupin ma kapluan mornicat dhe me siguri edhe flokët më janë ngritur përpjetë. Të gjithë me buzëqeshje vazhdonin të më shikonin mua e jo gjarprin që më krijonte tmerr. Derisa gjarpri ngjitej murit dhe ende pa u zhdukur në vrimën që e kërkonte, zonja e shtëpisë e kuptoi situatën dhe m’u afrua. Ajo u ul afër meje dhe më përqafoi duke më folur butë në mënyrë që ta më largonte frikën.

Ishte Gjarpri i Shtëpisë. Unë, disi, në mënyrë të mjegulluar, i kisha parasysh disa segmente, në forma të venitura, të legjendës për gjarprin, por, për moshën që kisha, nuk mund ta rehatoja veten në këtë situatë e të ndjehesha komod si të tjerët që qeshnin me mua. Dikur frika e madhe m’u hoq por buka mu pre dhe nuk munda ta vazhdoja drekën. Vendin e frikës e zuri kureshtja ime për indiferencën që treguan njerëzit e shtëpisë. Gjarpri që më tmerroi mua nuk u bëri përshtypje as fëmijëve më të vegjël që ishin aty. Madje, disa prej tyre as që e kthyen kokën për ta shikuar. Të gjithë në atë shtëpi ishin rritur me gjarprin, i cili i kishte kthinat e tij në muret e trasha e të gurta.

“Prej që u kurdis dynjaja, shpia e ka gjarprin e vet” – thoshin pleqtë. Gjarpri, jo vetëm që nuk i sulmon njerëzit e shtëpisë ku jeton edhe ai, por i mbron ata nga fatkeqësitë dhe rreziqet e ndryshme. Ky ishte shpjegimi dhe gjithkush besonte në te. Shtëpia jonë nuk kishte gjarpër dhe ndoshta kjo ishte arsyeja që unë frikohesha prej tij. Ndoshta mu për këtë arsye nuk e kuptoja rolin e tij të mbrojtësit të shtëpisë. Pas kësaj ngjarje unë dëshiroja të besoja se edhe ne kishim gjarpër në shtëpi, por, për ndonjë arsye të panjohur, nuk e shihnim.

Te shqiptarët legjenda e gjarprit është interesante dhe shumë e vjetër. Fillon me Ilirinë dhe është simbol i këtij civilizimi. Më vonë e kam kuptuar rolin e tij pasi që i dëgjoja gjithë ato tregime. Madje, ekziston edhe Kënga e Gjarprit. Sa e sa herë i kam shikuar njerëzit që e rrethonin kasetofonin dhe e dëgjonin këtë këngë me përqendrimin më të madh. Sipas kësaj kënge gjarpri bëhet njeri dhe anasjelltas. Kënga përmban elementet e dashurisë, besnikërisë, vuajtjeve, përmbushjes së obligimeve …

Lashtësia e kësaj legjende së voni është paraqitur edhe në filmin “Aleksandri i Madh”. Olimpia, nëna e Aleksandrit të Madh dhe gruaja e Filipit II, gjithkah shihet e shoqëruar nga gjarpinjtë. Madje, ajo edhe fle me ta. Olimpia, rolin e së cilës e luan aktorja e bukur Angelina Jolie, duke qenë e fisit të molosëve, e ka gjarprin roje të saj. Cili burrë, natyrisht pos Filipit II, do të guxonte t’ia mësynte shtratit të saj të mbushur me gjarpinj?

Kështu legjenda e Gjarprit të Shtëpisë ishte ruajtur pa u dëmtuar nëpër shekuj që nga koha e Ilirisë e deri në kohët moderne për t’u gjetur në shtëpinë e kushërinjve të mi në kodër të fshatit Corroticë.

Kanë kaluar disa dekada nga ngjarja ime me Gjarprin e Shtëpisë. Fshati dhe i tërë rajoni kanë mbetur jashtë kufijve. Me këtë edhe kujtimet e mia dhe legjendat tona kanë përfunduar në një shtet tjetër. Për fat të keq as shtëpia në kodër nuk ekziston më. Me të duket se është zhdukur edhe Gjarpri i Shtëpisë dhe besimi në të. Tashmë nuk e kemi as këtë simbol që na lidh me rrënjët tona të lashta. Kushedi, ndoshta më nuk dëshirojmë ose nuk kemi nevojë të dëshmojmë se jemi ilirë.

Në trend

Më shumë
“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

“Vuçiq paguan paraprakisht në rast të fitores së Trumpit”, mediat botërore shkruajnë se si dhëndrit të ish-presidentit amerikan iu shit ndërtesa e Shtabit të Ushtrisë Serbe

Serbia
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
E ngacmojnë se nuk

E ngacmojnë se nuk "di të lexojë", zbulohet problemi shëndetësor që kanë dy vëllezërit Veshaj

Magazina
Mbrojtësi i Borussia Dortmund trondit me pamjen e tij - ai fiton 10 milionë euro në vit dhe pas dy javësh ka finalen e Ligës së Kampionëve

Mbrojtësi i Borussia Dortmund trondit me pamjen e tij - ai fiton 10 milionë euro në vit dhe pas dy javësh ka finalen e Ligës së Kampionëve

Liga e Kampionëve
Mbahen matjet zyrtare para meçit mes Fury dhe Usyk, këto ishin peshat e kampionëve të boksit

Mbahen matjet zyrtare para meçit mes Fury dhe Usyk, këto ishin peshat e kampionëve të boksit

Boks
Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Kosova jashtë KiE, Mujanoviq: BE po çon ujë në ‘mullirin’ e Vuçiqit

Lajme
Kalo në kategori