LAJMI I FUNDIT:

GIZ synon që edhe në Kosovë të bëhet regjistrimi elektronik i punëtorëve sezonalë bujqësorë

GIZ synon që edhe në Kosovë të bëhet regjistrimi elektronik i punëtorëve sezonalë bujqësorë

Një nga industritë kryesore në rajon, bujqësia, tradicionalisht, mbështetet shumë në angazhimin e punëtorëve sezonalë. Por, punëdhënësit përballen me probleme në punësimin e tyre për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe administratës kërkuese që është e nevojshme për të bartur punën sezonale nga zona gri në rrjedha ligjore.

Punëtorët, nga ana tjetër, janë ballafaquar me pasiguri në lidhje me kushtet e punës, me pagesën për punë ditore, lëndimeve të mundshme, dhe për shkak se shpesh nuk janë të paraqitur, aktivitetet bujqësore i kryejnë kryesisht pa sigurime shëndetësore dhe siguri në punë.


Të dhënat nga Aleanca Kombëtare për Zhvillim Ekonomik Lokal (NALED) në Serbi tregojnë se para zbatimit të reformës së thjeshtësimit të regjistrimit të punëtorëve sezonalë, rreth 95 për qind të punëtorëve sezonalë në bujqësi punonin “në të zezë”, pa ndonjë kontratë, që do të thotë se ata nuk ushtruan të drejtat e tyre që rrjedhin nga punësimi.

Si një nga masat për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, lehtësira në respektimin kornizave ligjore për punëdhënësit dhe për të luftuar ekonominë joformale, në fillim të këtij viti, në Serbi është futur sistemi i regjistrimit elektronik, e-regjistrimi, për punëtorët sezonalë në sektorin e bujqësisë, zbatimi i të cilit u mbështet nga GIZ-i, në emër të Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, në bashkëpunim me NALED-in.

Sistemi i regjistrimit elektronik të punëtorëve sezonalë ka dhënë përfitime të shumta për të tri palët, punëtorët, punëdhënësit dhe shtetin, duke inkurajuar angazhimin më të efektshëm të fuqisë punëtore, zhvillimin e mëtutjeshëm të bujqësisë dhe zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Punëdhënësit që kanë biznese ose ferma private, tani, mund të paraqesin punëtorët në disa hapa përmes platformës on-line.

Regjistrimi elektronik gjithashtu ka sjellë shumë përfitime për punëtorët që kanë një pagë minimale të garantuar, sigurim në rast të lëndimit në punë, dhe sigurimin pensional.

Efektet e futjes së këtij sistemi po ashtu kanë një rëndësi të madhe për shtetin dhe buxhetin dhe përbëjnë pjesë të një fronti të gjerë për luftimin e ekonomisë joformale.

Efektet pozitive të sistemit elektronik për regjistrimin e punëtorëve sezonalë në bujqësi tanimë janë të prekshme, gjersa përshtatshmëria dhe lehtësia e përdorimit të sistemit hap mundësinë e aplikimit dhe në vendet tjera të rajonit. Kjo është arsyeja pse, në bashkëpunim me ekspertë dhe institucione shtetërore dhe me mbështetjen e Qeverisë gjermane-të realizuar nga GIZ, përmes hulumtimit të tregut po analizohen mundësitë e zbatimit të sistemit në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Maqedoni Veriore.

Duke marrë parasysh nevojat e sektorëve të ndryshëm për punëtorët sezonalë në të gjithë rajonin, zgjidhja e prezantuar nga Serbia mund të japë një shembull të praktikës së mirë me qëllim të përmirësimit të pozitës së punëtorëve sezonalë dhe krijimit të një sistemi më efikas të evidentimit të tyre në tregun e punës, gjë që lehtëson punën për punëdhënësit, dhe në përgjithësi kontribuon në përmirësimin e mjedisit ekonomik.