LAJMI I FUNDIT:

Germin: Të drejtat politike dhe sociale të diasporës të patrajtuara ligjërisht

Germin: Të drejtat politike dhe sociale të diasporës të patrajtuara ligjërisht

Germin prezantoi të gjeturat nga raporti preliminar mbi Diasporën shqiptare në Gjermani, me synim të adresimit të kërkesave, sfidave dhe mundësive të shqiptarëve  jashtë vendit.

Të gjeturat u prezantuan para përfaqësuesve të legjislativit, Ministrisë së Diasporës, Zyrës së Kryeministrit, KQZ-së, si dhe organizatave të tjera vendore dhe ndërkombëtare.


Behar Xharra, drejtor ekzekutiv nga Germin ka folur lidhur me të drejtat politike dhe sociale të diasporës në Kosovës, duke kërkuar që diaspora të ketë rol më të madh në të ardhmen.

Liza Gashi nga Germin potencoi se disa nga të gjeturat kryesore të identifikuara në takimet e mbajtura në Düsseldorf, Köln, Frankfurt dhe Stuttgart, tregojnë se diaspora shqiptare në Gjermani është shumëllojshme, e ndarë politikisht dhe ndër-gjeneratash, si dhe ka një strukturë të paorganizuar.

“Në bazë të hulumtimit, shqiptarët që jetojnë jashtë vendit nuk mendojnë se i gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me ligj. Po ashtu, mungesa e informacionit mbi të drejtat e tyre në Kosovë mbetet sfidë”, tha ajo.

Arian Daci, zëvendësministër i Diasporës ka theksuar se zgjedhjet e fundit kanë hapur një debat sa i përket pjesëmarrjes së diasporës në votim.

“Ju kujtojmë që sapo kemi nënshkruar tre marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë, të cilat do ta lehtësojnë adresimin e problemeve për gjithë diasporën shqiptare drejtë zgjidhjes sa më efektive”, tha ai.

Jahja Lluka nga Zyra e Kryeministrit tha se duhet të bëhen ndryshime të Kushtetutës dhe të shqyrtohen mundësitë për përfaqësimin e diasporës në parlament dhe vendimmarrje.

Kurse, Time Kadraj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës theksoi se janë në pritje të Projektligjit të Diasporës dhe veçse kanë filluar diskutimin e këtyre temave më herët mes Komisionit për punë të jashtme dhe Ministrisë së Diasporës, duke u bazuar në kontributin e diasporës në Kosovë.

“Më e pakta që mund të bëjmë është që këto kërkesa duhet të trajtohen ligjërisht ashtu siç do të duhej, dhe nuk besoj që dikush në këtë tryezë beson ndryshe”, tha deputetja Kadriaj.

Sami Kurteshi, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje tha se angazhimi i mërgatës në skenën politike është i padëshiruar nga Qeveria e Kosovës, për arsye se në Kosovë është krijuar një klientelë, që nuk dëshiron një mendësi tjetër të zhvillimit në Kosovë.

“Fenomenet negative, si haraçi dhe klientelizmi e kanë vështirësuar qasjen e Diasporës për të investuar në Kosovë, e mos të flasim për konsullatat dhe ambasadat ku i kemi të gjithë përfaqësues familjar dhe pa asnjë përgatitje profesionale. Gjithashtu duhet theksuar se buxheti i Kosovës nuk ka ndarë asgjë sa i përket mërgatës”, tha Kurteshi.

Zenun Pajaziti nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se forcimi i ligjit është rrugë që kjo kategori të jetë më afër nesh dhe të shpërblehen për kontributin qe kanë dhënë në Kosovë.

“Ne duhet të përfundojmë një mori obligimesh si përfaqësues të popullit ndaj diasporës sonë. Puna e mërgatës është një pasqyrim tragjik i historisë së Shtetit tonë”, tha ai. /Telegrafi/