LAJMI I FUNDIT:

Gaxherri: Qeveria po na bënë qiraxhinj në shtëpinë tonë

Gaxherri: Qeveria po na bënë qiraxhinj në shtëpinë tonë

Në një konferencë për media të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, në selinë e LDD-së në Velani, nënkryetarja e këtij subjekti Besa Gaxherri dhe Mustafë Pllana, të shtunën akuzuan koalicionin qeverisës se po e tjetërson pronën kombëtare nëpërmjet procesit të privatizimit, për shkak të apetiteve të grupeve të caktuara të interesit.

Nënkryetarja e LDD-së, Gaxherri tha se, LDD është duke i përcjellë me shumë vëmendje dhe shumë shqetësim zhvillimet në Kosovës të cilat çdo ditë e më shumë kanë një trend negativ, duke thënë se, “pas më shumë skandaleve të papranueshme të institucioneve të vendit, çdo segment i vendit tonë po degradon duke e futur Kosovën në një krizë të thellë, të brendshme dhe të jashtme”.

“Kosova është një krizë politike, sociale dhe ekonomike. Procesi i privatizimit në Kosovë është një proces i dështuar, i përcjellë me dështimet në zhvillimin ekonomik, i përcjellë me korrupsion dhe me mungesë të transparencës dhe duke mos i përmbushur kriteret të cilat i ka dhënë vetë vetes kjo qeveri, duke mos i përmbushur kontratat dhe duke mos i dhënë 20% punëtorëve siç e kanë obligim, si dhe fondi i këtij procesi nuk ndodhet në Kosovë e as nuk dihet se ku mund të jetë”, ka thënë Gaxherri.

Përkundër tërë këtyre dështimeve, sipas Gaxherrit, kjo qeveri nxiton që krejt çka është pronë kombëtare, ta shesë dhe – siç u shpreh ajo – të na bëjë qiraxhinj në shtëpinë tonë.
“LDD në vazhdim shtron pyetjen se a duhet të privatizohet PTK-ja në këtë kontest kohor, në këtë krizë globale dhe cilat duhet të jenë shembujt që duhet t’i marrim ne për privatizimin? “, tha ajo.


Gaxherri, shembull konkret për procesin e privatizimit mori shtetin slloven, i cili kishte kaluar po thuajse në të njëjtin proces sikur Kosova, të cilët sot janë shembull i zhvillimit ekonomik jo vetëm për shtetet e Ballkanit. Sllovenia, sipas Gaxherrit, është një vend i cili mbi 61% të pronës totale e kanë pronë shtetërore, të cilët kanë bërë thirrje shtetit të Kosovës që të kenë kujdes gjatë procesit të privatizimit.

Nënkryetarja e LDD-së akuzoi institucionet e vendit se pa kurrfarë kriteri po e shesin pronën e shenjtë kombëtare, vetëm për shkak të interesit dhe apetiteve të grupeve të caktuara.

LDD mendon se, kjo qeveri nuk ka të drejtë të shes pronën e këtij populli, pasi që dështimet e vazhdueshme të saj – siç tha Gaxherri, e bëjnë të dyshojmë në rezultat që mund të arrihen. “Humbja e kredibilitetit të kësaj qeverie”, tha në fund Gaxherri, “për shkak të dështimeve të vazhdueshme na sjell para një procesi tjetër që janë shpallja e zgjedhjeve parlamentare”. /Telegrafi/