LAJMI I FUNDIT:

Gashi: Nuk kemi arrit të zgjedhim problemin e Kartonit të Gjelbër

Gashi: Nuk kemi arrit të zgjedhim problemin e Kartonit të Gjelbër

Shteti i Kosovës nuk është duke e trajtuar diasporën ashtu siç e meriton. Diaspora sa i përket votimit, është më shumë se e keqtrajtuar.

Kështu ka thënë ministri i Diasporës, Dardan Gashi, gjatë raportimit lidhur me Ligjin për Diasporë dhe çështje tjera nga fushë veprimtaria e Ministrisë para Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike.


Gashi ka pranuar se Kosova ka dështuar të bëjë zgjidhje për Kartonin e Gjelbër.

Për të krijuar një Ligj sa më gjithëpërfshirës dhe sa më adekuat për diasporën, Gashi propozoi që debatet publike për këtë projektligj dhe debati për pjesëmarrjen e diasporës në institucionet e Kosovës të bëhet në shtetet ku gjendet diaspora.

Gashi ka njoftuar Komisionin se qendrat kulturore i kanë mbyllur të gjitha në diasporë, dhe sipas tij, ideja është që me Shqipërinë këto qendra të jenë të përbashkëta.

“Sa i përket Ligjit, ose amandamentimit të ligjit ekzistues për diasporën, Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës vitin e kaluar ka bërë një marrëveshje gjithëpërfshirëse sa i përket aktiviteteve të përbashkëta në diasporë. Qendrat kulturore kanë qenë një dështim, mënyra se si kanë funksionuar dhe ndërkohë janë mbyllur të gjitha. Janë suspenduar punëtorët që kanë qenë, sepse kanë pasur kontrata mbi vepër. Ne me ligjin e ri kërkojmë që të institucionalizohen këto qendra kulturore, mos të jenë ashtu siç kanë qenë, edhe Qeveri edhe OJQ”, theksoi Gashi.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, ka thënë se dikush duhet të marr përgjegjësinë pse janë themeluar qendrat kulturore në diasporë dhe janë dështuar. Me anë të këtij Projektligji, Pacolli po dyshon se ministria e Diasporës po e mashtron diasporën për Kartonin e Gjelbër dhe për bankën e diasporës.

“Çka është shqetësuese, është se çka do që është e shkruar në këtë projektligj e bën aq të pabesueshëm se Qeveria është e përkushtuar që t’i realizojë të gjitha këto, për shkak se në një draft-dokument që është publikuar së pari në webfaqen e ministrisë, është tek neni 5.3 ku thuhet kështu ‘shto edhe Kartonin e Gjelbër si ide edhe bankën për diasporën’. Pra, kjo po o bie se është fare pa planifikim. Nuk ka planifikim të qartë se çfarë banke do të jetë për diasporën dhe çfarë do të bëhet për Kartonin e Gjelbër”, tha Pacolli.

Ministri Gashi ka thënë se mendojnë që me anë të këtij Ligji do të bëhet zgjidhja e krijimit të Kartonit të Gjelbër dhe të bankës për diasporën, duke obliguar Qeverinë me Ligj.

“Mund të ketë mangësi të tilla që do të futet edhe ideja për këtë dhe të tjera për arsye të caktuara. Kartoni i Gjelbër nuk ka qenë problem i ministrisë. Nuk është marr ministria me ndonjë mandate, këtë e kemi marrë në mënyrë vullnetare. I kemi krijuar disa lehtësira bashkë me ministrinë e Brendshme. Nuk kemi arrit të zgjedhim problemin e Kartonit të Gjelbër. Me këtë ide kemi dashur që të obligohet qeveria si e tillë që edhe me anë të Ligjit të merret me këtë çështje”, tha Gashi.

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, tha se diaspora duhet të jetë më aktive në skenën politike në vend dhe duhet analizuar mirë përfaqësimi i diasporës në kuvend.

“Çështja që duhet me u analizuar, me u studiua, me u debatua, është çështja e përfaqësimit politik të diasporës në kuvend. Në debatet me përfaqësuesi e diasporës ka lindë kjo kërkesë, mirëpo unë mendoj se duhet me u sqarua edhe nga këto vizitat e ardhshme që do t’i bëni, sepse unë nuk kam as vizë as pasaportë. Nuk e di a do të jem pjesë e atij ekipi. Mirëpo, me u sqarua, sepse vendet e rezervuara, jemi dëshmitarë se kanë bllokuar funksionimin e Kosovës”, ka theksuar Berisha.

Për çështjen e debateve publike në diasporë, kryetarja e këtij Komisioni, Vjosa Osmani ka ngritur çështjen shpenzimeve ose mbulimin e tyre. /KP /Telegrafi/