LAJMI I FUNDIT:

Fukarenj me luks

Fukarenj me luks

Me varfëri ose pa të, kosovaret dinë të bëjnë jetë luksi. Shpenzimet për produkte si alkooli, duhani, veshmbathjet dhe rekreacioni, kanë shënuar rritje të dukshme gjatë vitit 2010. Kështu, pas ushqimit, kosovarët konsumojnë alkool dhe duhan me të madhe. Për këto dy kategori, u shpenzuan afër 300 euro dhe 440 euro të tjera veshmbathje prej 7.655 eurove, sa i pati mesatarisht në dispozicion një familje kosovare brenda vitit 2010.

”Është evidente rritja e shpenzimeve për konsum të alkoolit dhe duhanit në krahasim me vitet 2009 dhe 2008. Rritja në vitin 2010 ka qenë 21 për qind në Kosovë, në vendbanime urbane 19 për qind, kurse në rurale është më e theksuar, 23 për qind”, thuhet në anketën e ekonomive familjare për vitin 2010.

E kur shpenzon shumë për gjëra të luksit, është normale që shpenzimet të jenë më të vogla për kategoritë si arsimi e shëndetësia. Hiq këtu arsimin që pati rritje të shpenzimeve për 67 për qind, krahasuar me vitin paraprak, shumë pak u shpenzua për shëndetësi. “Në vitin 2010, krahasuar me vitin 2009, ka qenë rritje prej 10 për qind te shpenzimet në shëndetësi”, thuhet në raportin e ESK-së

Në bazë të këtij raporti, mbi buxhetin e ekonomive familjare për vitin 2010, në kategoritë si ushqimi, banimi, transporti, veshmbathjet si dhe alkoolin e duhani, është shpenzuar më së shumti.


Pjesa më e madhe e këtij buxheti prej 7655 eurosh, shpenzohet për ushqim dhe pije joalkoolike, duke arritur në 2.795 euro. Krahasuar me vitin 2009, kjo kategori paraqet një rritje prej 14 për qind. Një pjesë bukur e mirë e parave shkon edhe për banim. Në fakt, kjo kategori radhitet e dyta si më e “shtrenjta”. Kështu sepse për të shpenzohen 2.399 euro brenda vitit, apo 31 për qind e buxhetit të një familjeje kosovare. “Pjesa më e madhe e banimit është “qiraja e vlerësuar”. Një pjesë e vogël e ekonomive familjare paguajnë qira”, thuhet në anketë.

Këto kategori nuk janë të vetmet që pëlqehen nga kosovarët. Një si këto, që mund të konsiderohet edhe “luks”, është veshmbathja. Për këtë kategori, një familje kosovare nga buxheti i saj i varfër ndau hiq më pak se 440 euro. Krahasuar me vitin 2009, është 27 për qind më shumë.

Kur shpenzohet në duhan e alkool, pse mos të shpenzohet edhe për rekreacion. Niveli i shpenzimeve për rekreacion ka qenë dukshëm më i lartë në vitin 2010, në krahasim me dy vitet paraprake. Posaçërisht në qytete, mbase nga të ardhurat më të mëdha, janë të dhënë pas rekreacionit. “Në vendbanime urbane, dukshëm kanë shpenzuar më shumë për rekreacion në krahasim me vitin 2008 dhe ato për 91 për qind. Por në vitin 2010, vërehet një rënie e vogël prej 5 për qind”, thuhet në raport. /Express/Telegrafi/