LAJMI I FUNDIT:

Franca kundër ristrukturimit të borxhit grek

Franca kundër ristrukturimit të borxhit grek

Ministrja franceze e Ekonomisë, Christine Lagarde u shpreh të hënën kundër ristrukturimit të borxhit grek, në një intervistë për mediat franceze.

E pyetur mbi mundësinë e një ristrukturimi të tillë përmendur nga disa vende të Bashkimit Europian, kryesisht Gjermania, Lagarde tha se nuk bëhet fjalë për ristrukturim.

"Ne kemi një kontratë me Greqinë, një kontratë që parashikon mbështetje financiare në këmbim të përpjekjeve për rimëkëmbjen e financave publike, nuk duhet ristrukturuar borxhi", deklaroi ajo.

Nga ana tjetër, Lagarde përsëriti se falja e borxhit të vendeve në vështirësi, qoftë Irlanda, Portugali dhe Greqia, do të ishte katastrofike.


Një masë e tillë do të pengonte rikthimin e tyre në tregjet financiare, tha ajo ndërsa planet e ndihmës që janë në zbatim vetëm se i ndihmojnë ato që një ditë të rikthehen tek tregjet.

Ideja e një ristrukturimi të borxhit grek është objekt spekulimesh prej muajsh.

Të enjten, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaüble i ndezi më tepër polemikat duke pohuar se nëse një analizë jetëgjatësie e borxhit grek në qershor tregonte se Greqia nuk është në trajektoren e duhur, atëherë duhej vendosur diçka, duke cituar masa të reja.

Ish-kryeministri grek Kostas Simitis, arkitekt i hyrjes së vendit të tij në zonën euro në vitin 2001, u shpreh gjatë fundjavës për një ristrukturim të borxhit të vendit të tij.

Presidenti i Këshillit Evropian, Herman Van Rompuy pohoi një ditë më parë se një ristrukturim i tillë nuk ishte objekt diskutimi. /Telegrafi/